TIRANË- Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë me 2 janar 1956.
Në rininë e tij të hershme, në kohën e regjimit komunist, u pagëzua fshehurazi nga prifti Kozma Qirio më vonë peshkopi i Apollonisë duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme.
Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e reabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale.
Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria drejt Bostonit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku u diplomua për teologji. Pas diplomimit kthehet në Shqipëri dhe nisi punën si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Një vit më pas , shkurtin 1994 mori titullin dhjakon dhe pak muaj më pas prift.
Në 1995 kthehet sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për studime të mëtejshme të cilat i përfundoi me rezultate te larta dy vite më pas në një master të avancuar të teologjisë.
Në vitin 1996 u ngrit në rangun e arkimandritit. Me tu kthyer në Shqipëri u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në 1998, derisa u emërua Mitropolit i Korçës.
Ai ka përgatitur tekste, ka përkthyer libra, dhe ka botuar shumë artikuj në gazeta, revista dhe periodikë studimorë të huaj dhe të vendit. Përveç gjuhës shqipe, zotëron anglishten, frëngjishten italishten, greqishten dhe ka njohuri në latinishten dhe hebraisht.
Për kontributin e dhënë në shumë fusha në Korçë në vitin 2003 është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi i Qarkut Korçë”
Si personalitet i shquar i botës shpirtërore dhe fetare në vitin 2018, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë i jep titullin “Doctor Honoris Causa”
Një vit më pas vlerësohet me certifikatë mirënjohjeje dhe nga Bashkia e Tiranës.
Pas rreth 32 vitesh bashkëpunëtor i ngushtë i kryepeshkopit Anastas, 27 prej të cilave si Mitropolit i Korçës, hirësia e tij Joan Pelushi zgjidhet Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë./abcnews.al