Nga Linda Karadaku
Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani do të mbesin në historinë e Kosovës për shumë arsye, por mbi të gjitha si dy gra politikane të forta, që çanë rrugën duke u përballur me parti dhe grupime politike të dominuara nga burrat. Luftuan si burrat në një fushë beteje politike të pamëshirshme, ku nuk u kursyen aspak. E megjithatë, vështirë se do t’ia kishin dalë të vetme, pa pasur në krah mbështetjen e fortë, të qartë dhe të dukshme amerikane dhe evropiane. Për shumë njerëz, miq dhe armiq, Atifete Jahjaga ishte ide dhe zgjedhje amerikane; për të tjerë, ishte presidentja, emri I së cilës iu dha I shkruar në zarf krerëve të politikës në Kosovë në atë kohë. Dhe në të vërtetë, ambasadori amerikan në atë kohë Christopher Dell, ishte shumë I angazhuar dhe I përfshirë në zgjidhjen e një ngërçi politik që kërkonte zgjidhje përmes postit të presidentit. Dhe ashtu ndodhi.
Pikërisht më 7 prill 2011, me 80 vota pro, kuvendi i Kosovës zgjodhi ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes. Madje, si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur midis liderëve të këtyre tri partive politike, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Christopher Dell. Një marrëveshje e tillë sigurisht që do të çonte në fitoren e saj që në raundin e parë të votimit. “Si presidente e vendit do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim kombi, feje, race a gjinie. Synimi i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian si dhe ruajtja e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Marrëveshja për zgjedhjen e saj, kishte edhe një nën-marrëveshje shumë të rëndësishme që nuk u zbatua kurrë. Marrëveshja e arritur midis dy partive më të mëdha dhe e përkrahur nga AKR-ja, parashihte ndryshime kushtetuese në mënyrë që në të ardhmen, presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli. Në të vërtetë, kuvendi I Kosovës vazhdoi të zgjedhë vetë Presidentin dhe ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e tij të drejtpërdrejtë nga populli nuk u bënë kurrë.
Lëvizja Vetëvendosje, në atë kohë në opozitë bojkotoi votimin. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri, pati thënë se Vetëvendosja ishte kundër kandidaturës së Atifete Jahjagës, sepse ajo ishte sipas tij, produkt i një marrëveshjeje politike dhe pazareve partiake. “Marrëveshja e arritur dje ia zgjat jetën kësaj qeverisjeje për minimalisht dy vjet e gjysmë. Këta dy vjet e gjysmë janë problemi e jo zgjidhja, sepse për këtë kohë ata do të synojnë që ta shesin PTK-në, KEK-un dhe Trepçën, si dhe t’i përmbyllin bisedimet me Serbinë, të cilat e bosnjëzojnë Kosovën”. Jahjaga ishte presidentja e katërt e Kosovës dhe liderja femër më e re në botë e zgjedhur në postin e Presidentes. Ishte gjithashtu e e para presidente femër në historinë moderne të Ballkanit dhe mbante gradën e gjeneral majorit, kur u zgjodh, grada më e lartë në mesin e grave në Evropën Juglindore.
Atifete Jahjaga doli të ishte një zgjedhje shumë e mirë dhe mbahet mend si një presidente konstruktive, serioze dhe e zonja. Juriste, por me një karrierë në policinë e Kosovës, vajza nga Gjakova, kishte kaluar për universiteteve angleze dhe amerikane, deri tek Qendra Evropiane e Sigurisë “Xhorxh Marshall” në Gjermani dhe Akademia Nacionale e FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që shënjoi karrierën e saj në Presidencë ishte formimi I Grupit Politik për të pasur konsensus institucional për themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo çështje ishte dakorduar në letërkëmbimin që Presidentja Jahjaga kishte pasur me Baroneshën Ashton, letërkëmbim që ishte votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me më shumë se 2/3 e votave.
Kur erdhi koha për të zgjedhur një president të ri, pikërisht pas shkuarjes në Hagë të ish-Presidentit Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, ish-kandidatja për kryeministre e LDK-së, ishte aty, e qartë dhe e vendosur në synimet e veta. Por as këtë herë nuk mund t’ia dilte e vetme. Në një llogari të saktë dhe të qartë, u fut në listën e Vetëvendosjes me listën e vet “Guxo”, duke kërkuar mbështetje për tu bërë presidentja e ardhshme e vendit. Numri I madh I votave dhe deputetëve të Vetëvendosjes do të ishin garanci për të qenë kandidate e vetme me këtë mbështetje. Por ishte gjithashtu e qartë se këto vota nuk do të mjaftonin, dhe presidentja e ardhshme drejtoi sytë nga ish-partia e saj, LDK, të cilën e kishte rrëzuar në vendin e tretë, duke ia përgjysmuar votat. Ardhja në krye të LDK-së e Lumir Abdixhikut, i afërt me të, por edhe të tjerëve në kryesinë e partisë, që kishin qenë më të afërt me të sesa me ish-kryetarin Mustafa, ishte kartë fituese për Vjosa Osmanin. Por megjithatë, as kjo nuk do të mjaftonte.
Ashtu si në rastin Jahjaga, ashtu si edhe në precedentë të tjerë, ambasadori amerikan ishte shumë I rëndësishëm dhe mbështetja e tij, e paçmuar, pavarësisht nga retorika e kujdesshme politike, për të treguar se këtë herë, nuk do të kishte zarf me emrin e presidentes së shkruar në të. Koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka ikur, do të deklaronte ambasadori aktual amerikan Philip Kosnett, që do të theksonte se SHBA-të nuk po kërkonin që opozita të votonte ndonjë individ të caktuar për president. “Më lejoni të jem i qartë. Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht e as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”. Ambasadori Kosnett po sulmonte pikërisht në atë që ishte thembra e Akilit, plotësimi I kuorumit prej 80 deputetësh, të domosdoshme për të zgjedhur presidenten e re, me shumicë të thjeshtë votash në raundin e tretë.
“Sa i përket ligjit – në vitin 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi obligimin e të gjithë deputetëve për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe për t’ju përmbajtur procedurave përkatëse për zgjedhjen e presidentit. Kjo nuk do të thotë se ata duhet të votojnë për ndonjë kandidat; megjithatë, kjo do të thotë se ata e kanë për detyrë që të marrin pjesë në një hap të rëndësishëm në procesin demokratik të Kosovës”. Por mungesa e një zarfi nuk nënkuptonte aspak mungesën e mbështetjes me mjete dhe mënyra të tjera. Përkundrazi. Ambasadori Kosnett ishte shprehur menjëherë i mahnitur nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, duke thënë se “ekziston një dëshirë e madhe në Kosovë për t’iu dhënë rastin Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për ta formuar qeverinë e re.”
“I njoh Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin mjaft mirë tashmë dhe mendoj se është e qartë që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin për ta formuar qeverinë dhe udhëhequr vendin. Mendoj se ata kanë vizion e energji dhe kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën”. Vjosa Osmani – Sadriu, gjithashtu juriste në profesion, kishte qenë gruaja më e votuar dy palë zgjedhjet e fundit. Lidhjet e saj kalonin gjithashtu përmes universiteteve amerikane, këtë herë universitetin e Pitsburgut. E lindur në Mitrovicë, Osmani kishte kaluar një nga një shkallët në Lidhjen Demokratike, që nga deputete, Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese dhe kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Në një ndarje të qartë dhe të thellë me partinë e saj, LDK, Osmani guxoi të bashkohej në një listë me Lëvizjen Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti, duke synuar kështu të merrnin dy postet kryesore të vendit, kryeministrinë dhe presidencën. Jo rastësisht e nënshkruan marrëveshjen në hollin e Kuvendit të Kosovës. Osmani qartësoi se bashkimi i tyre shkon përtej një liste. “Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Jemi të vendosur për të mbrojtur kushtetutën e vendit. Jemi të vendosur për një Kosovë që secili mund të sigurojë një jetë të dinjitetshme.” Në fakt, rrjedha e zhvillimeve e kishte çuar Osmanin në prehrin e Vetëvendosjes. Si kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019, kishte humbur për pak, për një deputet, përballë Vetëvendosjes, e cila kandidatonte me Albin Kurtin për kryeministër.
Vjosa Osmani mori kështu postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Më pas qeveria Kurti u shkarkua me një mocion të LDK-së. Osmani ishte kundër prishjes së këtij koalicioni dhe që nga ajo kohë, jo vetëm ndau rrugët me LDK-në, por u sinkronizua në qëndrimet e saj me Vetëvendosjen. Në korrik të vitit 2020, Osmani u shkarkua edhe nga postet udhëheqëse në LDK, duke I dhënë fund edhe de-jure qënies së saj në strukturat drejtuese të LDK-së, dhe duke e çuar përfundimisht në krahët e Vetëvendosjes. Por Vjosa kishte bërë llogari të qarta edhe këtë herë. Po me Vetëvendosjen, por si kandidate për presidente. “Sot Kosova zgjodhi edhe njëherë një Presidente grua. Shpresoj ta mbani ndërmend këtë që po ndodh tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ëndërrojnë, e aty ku punojnë me zell. Përfaqësimi i qeverisë tonë nga gra, është shembull që duhet ndjekur edhe nga vende më të zhvilluara.”/ Abcnews.al