Nga Matt McGrath, CNN
Planet e qeverive për të prodhuar karburante fosile deri në vitin 2030 nuk përputhen me planet për ruajtjen në nivele të sigurta të temperaturave globale, sipas OKB-së. Nafta dhe gazi do të rriten ndjeshëm me vetëm një rënie modeste të thëngjillit. Fokusi i konferencës së klimës janë ambiciet për zvogëlimin e emetimeve të karbonit.
Por, pavarësisht synimeve dhe premtimeve të shumë vendeve, disa nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës, gazit dhe qymyrit nuk kanë planifikuar ende se si do të reduktojnë lëndët djegëse që shkencëtarët thonë se janë të nevojshme për të kufizuar rritjen e temperaturave në vitet e ardhshme.
Në fillim të këtij viti, studiuesit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) paralajmëruan për rreziqet që i kanosen njerëzimit nga rritja e temperaturave. Për të ruajtur në nivel temperaturat, kjo do të kërkojë shkurtime të emetimeve të karbonit me rreth 45% deri në vitin 2030 bazuar në nivelet e 2010.
Por në vend që të reduktojnë emetimet e karbonit, shumë nga vendet më të mëdha po planifikojnë gjithashtu të rrisin ndjeshëm prodhimin e tyre të lëndëve djegëse, sipas OKB -së. Raporti i hendekut të prodhimit zbulon se vendet planifikojnë të prodhojnë rreth 110% më shumë karburant fosil sesa do të ishte në përputhje me një rritje të temperaturës prej 1.5 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli.
Sipas studimit, prodhimi i qymyrit do të bjerë por gazi do të rritet gjatë 20 viteve të ardhshme, në nivele që janë thjesht të papranueshme për marrëveshjen e Parisit. Raporti profilizon 15 vende kryesore të prodhimit duke përfshirë Australinë, Rusinë, Arabinë Saudite, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, raporton abcnews.al
Shumica e qeverive vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të konsiderueshme të politikave për prodhimin e karburanteve fosile, sipas autorëve.
“Hulumtimi është i qartë: prodhimi global i qymyrit, naftës dhe gazit duhet të shënojë rënie të menjëhershme për të qenë në përputhje me kufizimin e ngrohjes afatgjatë në 1.5 gradë Celsius”, sipas Ploy Achakulwisut, një autor kryesor në raportin nga Instituti i Mjedisit në Stokholm.
Financimi i naftës, qymyrit dhe gazit nga bankat multilaterale ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe gjithashtu nga disa vende më të pasura.
“Ky raport tregon, edhe një herë, një të vërtetë të thjeshtë por të fuqishme: ne duhet të ndalojmë nxjerrjen e naftës dhe gazit nga toka nëse duam të përmbushim objektivat e Marrëveshjes së Parisit,” tha Andrea Meza, ministre e Kosta Rikës për mjedisin dhe energjinë.
/abcnews.al