Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj thotë se Thumana është ‘rilindur’ pas tërmetit të 26 nëntorit dhe kjo falë procesit të rindërtimit.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, në interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Ibrahimaj u shpreh se sot Thumana është kthyer në model zhvillimi të qëndrueshëm urban dhe social.
Sipas Ibrahimajt, rindërtimi nuk mund të mbyllej në vitin 2021, pasi pas tërmetit erdhi pandemia dhe prej më shumë se një viti, bota po vuan ende pasojat e luftës në Ukrainë.
“Kjo është pamja e Thumanës, në agim të 26 nëntorit. Është një pamje e cila nuk do të shqitet nga mendja e të gjithë shqiptarëve, pasi tronditi jo vetëm të gjithë Shqipërinë, por të gjithë botën. Të gjithë shqiptarët e kanë parë sesi qeveria, biznesi, partnerët ndërkombëtarë u ngritën në këmbë dhe u bashkuan me solidaritet maksimal, me qëllim që t’iu gjendeshim pranë të gjithë të dëmtuarve. Kjo është Thumana sot, Thumana e rilindur. Thumana e cila nisi rrugën e transformimit të pakthyeshëm, vetëm 8 muaj pas ngjarjes tragjike.
Sot, Thumana është kthyer në një model zhvillimi, të qëndrueshëm urban dhe social. Ne nuk duhet të harrojmë se se çfarë lamë pas dhe si e gjetëm forcën për t’i ngritur mbi rrënojat. Nuk e di se ku e gjejmë forcën për të thënë që tërmeti përdoret vetëm në momente fushatash apo për qëllime elektorale. nuk e di sesi mund të harrohet se pas tërmeti u prekëm nga pandemia, e pas rimëkëmbjes së pandemisë, u prekëm, si e gjithë bota, nga lufta në Ukrainë’, theksoi ajo./abcnews.al