Diktatori koreano-verior Kim Jong Un urdhëroi vrasjen e gjysmëvëllait të tij një vit më parë pasi i druhej një rrokade brenda familjes së tij. Kjo, pasi pak ditë para ekzekutimit 45-vjeçari ishte takuar me një agjent amerikan.
Disa ditë para se të vritej nga një agjent toksik nervor, Kim Jong Nam, gjysmëvëllai i diktatorit koreano-verior, u takua me një agjent të shërbimeve sekrete amerikane. Lajmin e ka bërë të ditur një oficer policie në Malajzi, i cili ka dhënë dëshminë e tij në një gjykatë të këtij vendi, që po proceson autoret e dyshuara për vrasjen e vitit 2017.
Sipas zyrtarit, takimi ka ndodhur në një ishull malajzian, ku Kim Jong Nam është parë në shoqërinë e një agjenti amerikan me prejardhje koreane. Sipas dëshmisë, takimi u zhvillua më 9 Shkurt të vitit të kaluar dhe kompjuteri i Kim kishte dhe sinjalin e përdorimit të një USB-je, gjë që ka ngritur dyshimet se ai mund t’i ketë dhënë informacione të rëndësishme agjentit sekret.
Katër ditë më vonë, Kim u ekzekutua nga dy gra që i hodhën në fytyrë një agjent toksik nervor. Flitet se ai u eliminua me urdhër të diktatorit, regjimi i të cilit druhej se Shtetet e Bashkuara po përgatisnin një rrokadë në familjen që qeveris vendin e izoluar aziatik. Një lëvizje kjo, që do t’i shkonte për shtat si Amerikës, ashtu edhe Kinës.
E ndërsa është 34 vjeç, Kim Jong Un ka gjasa që të udhëheqë Korenë e Veriut edhe për tre ose pesë dekada të tjera. Teksa e ka bërë të qartë qëndrimin e tij armiqsor ndaj Amerikës, duket se edhe Kinën nuk e ka shumë qejf./abcnews.al