Një punë kërkimore voluminoze, e mbështetur në dokumente arkivore të panjohura më parë për publikun, hedh dritë mbi mënyrën se si prodhoheshin dhe kontrolloheshin filmat në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Studiuesja dhe arkivistja Eriona Vyshka ka sjellë së fundmi një libër të ri, ku trajton procesin e ndërlikuar të filtrimit të filmave në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke u mbështetur në dokumente të ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit.
Vyshka, e cila është përgjegjëse për katalogimin dhe menaxhimin e koleksioneve filmike dhe ka redaktuar disa katalogë të rëndësishëm më parë, në emisionin në “Pas Mesnate” në ABC News sjell në këtë libër një analizë të periudhës 1954–1994, duke zbuluar detaje të panjohura për mënyrën se si kontrollohej çdo fazë e një filmi.
Sipas saj, procesi nuk përfundonte me xhirimet apo montazhin. Pasi filmi përfundonte, ai duhej të kalonte disa filtra vlerësimi. Por momenti më vendimtar ishte shfaqja e filmit para udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Fati i filmit vendosej nga reagimi i tij. “Të gjithë në oborr prisnin me padurim nëse do të kalonte apo do të censurohej,” tregon Vyshka.
Ajo thekson se libri përmban dokumente autentike, ndër to 42 procesverbale të mbajtura me dorë nga persona të paidentifikuar, të cilët kishin ndjekur të gjitha mbledhjet e filtrave dhe komisioneve. Sipas saj, këta ishin shpesh gazetarë të redaksive ose punonjës të Kinostudios.
“Është një punë voluminoze që kam bërë prej viti të kaluar. Më është dashur kohë shumë. Në arkivin tonë ne kemi 42 procesverbale të mbledhjeve të mbajtura me shkrim dore nga personi përgjegjës që ndiqte të gjitha. Nuk identifikohej me emër. Mendoj se kanë qenë disa sepse edhe shkrimi i dorës ishte i ndryshëm. Këto kanë qenë gazetarët e redaksive ose të Kinostudios që ishin prezentë në çdo mbledhje të të gjitha filtrave, të komisioneve. Të gjitha librat janë të ndryshëm. Libri i redaksisë është më vete, i kohës paraprake është më vete, e kështu me radhë të çdo filtri tjetër”, tha Eriona Vyshka.