Procedime dhe të arrestuar, policia në aksion pas derbit të kryeqytetit

schedule10:28 - 29 Shkurt, 2020

schedule 10:28 - 29 Shkurt, 2020

Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, një ditë më parë ka pasur tension dhe Policia e Shtetit nuk ka qëndruar duarkryq para shkeljeve ligjore. Sot ajo ka dalë me njoftim dhe bën me dije se janë arrestuar dy persona, ndërkohë që janë proceduar edhe 9 të tjerë. Gjithashtu po punohet për identifikimin e të tjerë personave, si dhe për kapjen e atyre që janë shpallur në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISË – 11 të proceduar, ndër ta dy të arrestuar  për shkatërrim të pronës, prishje të rendit e qetësisë dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipit të Tiranës dhe Partizanit, në stadiumin “Air Albania”.

Më datë 28.02.2020, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” u zhvillua ndeshja e futbollit ndërmjet skuadrave të Tiranës dhe Partizanit. Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, janë hedhur sendet të forta në fushën e lojës, janë dëmtuar stolat, si dhe janë futur në fushën e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy tifozë, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Shkatërrimi i pronës”, konkretisht:  A.M., 24 vjeç dhe M.U, 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrim prone” dhe 9 tifozë të tjerë, konkretisht shtetasit: M.H, A.P, G.M, L.T, A.M, A.O, K.R, R.J dhe K.M. Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e përsonave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!