Problemet me vaksinat, Gjermania, Franca dhe Suedia fajësojnë BE-në. Britanikët, më të kënaqurit!

schedule14:53 - 3 Mars, 2021

schedule 14:53 - 3 Mars, 2021

Sipas një sondazhi, njerëzit në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë fajësuar  qeveritë e tyre dhe BE-në për problemet në programet e tyre të vaksinimit  ndërsa britanikët janë të kënaqur me përparimin e shpejtë që ka treguar qeveria e tyre.

77 përqind e britanikëve deklaruan se vendi i tyre ia kishte dalë mbanë me programin e vaksinimit- krahasuar me 23 përqind në Gjermani, 19 përqind në Suedi dhe 18 përqind në Francë.

Të tre vendet mbeten pas Mbretërisë së Bashkuar në garën e vaksinave pasi kaosi i furnizimit në të gjithë Europën u përkeqësua nga personalitet kryesore të BE-së duke përfshirë Emmanuel Macron, i cili ngriti  dyshime të pabazuara në lidhje me efikasitetin e AstraZeneca .

Sipas sondazhit, vetëm 17 përqind në Gjermani dhe 24 përqind në Francë  deklaruan se BE ka bërë një punë të mirë në përpjekjen për të imunizuar popullsinë e saj prej 447 milion banorësh, raporton abcnews.al

 

 

Sondazhi nuk është befasues duke pasur parasysh ritmin shumë më të shpejtë të vaksinimit në Britani, ku më shumë se 30 përqind e të gjithë popullsisë kanë marrë të paktën një dozë.

Sondazhi i 1.000 të rriturve në secilin vend zbuloi gjithashtu se britanikët kishin më shumë gjasa të vaksinoheshin me 89 përqind që thanë se do të merrnin një dozë ose e kishin marrë tashmë. Kjo krahasuar me 76 përqind në Suedi, 73 përqind në Gjermani dhe vetëm 59 përqind në Francë ku skepticizmi i vaksinave ka qenë prej kohësh një shqetësim.

Më shumë se gjysma e personave të anketuar në tre vendet e BE-së thanë se përparimi i fushatës së vaksinimit ishte shumë i ngadaltë në vendin e tyre. Mbretëria e Bashkuar miratoi të dy vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca para çdo vendi tjetër, raporton abcnews.al

Ndërsa BE nuk kishte miratuar ende vaksinën e Oksfordit deri në fund të janarit pas një përplasje me AstraZeneca mbi furnizimet.

 

Gjermania, Franca dhe Suedia ishin midis vendeve që kufizuan përdorimin e AstraZeneca për personat  nën 65 vjeç. Macron ndezi më tepër situatën kur tha  se vaksina ishte ‘ joefektive’ tek njerëzit e moshuar.

Përpjekjet e Francës për fushatën e vaksinimit u  vlerësuan nga 18 përqind dhe u kritikuan nga 39 përqind. Në Suedi, 51 përqind thanë se vendi i tyre kishte gabuar në shpërndarjen e vaksinave, krahasuar me 19 përqind që ishin dakord.

Sondazhi ishte një goditje për vendin nordik i cili ka përmendur prej kohësh ‘nivelin e lartë të besimit në agjencitë qeveritare’ si justifikim për politikat e  Covid. Sondazhi tregon një rënie në vlerësimet për kryeministrin suedez Stefan Lofven, i cili tani është 17 pikë më poshtë  në vlerësimin e publikut për sa i përket  menaxhimit të tij ndaj virusit.

Boris Johnson, javën e kaluar paraqiti plane të hollësishme për heqjen e bllokimit të cilat mund të çonin në hapjen e kufijve nga 21 qershori në Angli. Të gjithë të rriturit pritet të marrin dozën e parë të vaksinës deri më 31 korrik, ndërsa BE ka një qëllim më modest të vaksinimit të 70 përqind të të rriturve deri në shtator. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!