Problemet me rritjen e çmimeve në bujqësi, fermeri: Pronarët e tokave nuk na lënë të marrim naftën

schedule12:28 - 6 Maj, 2022

schedule 12:28 - 6 Maj, 2022

Gjendja në të cilën ndodhen fermerët në vendin tonë për shkak të rritjes së çmimeve është diskutuar këtë të premte në ABC Live në një panel të ftuarish.

Kreu i Shoqatës së Konsumatorit, Ervin Resuli në fjalën e tij ka thënë se gjendja e bujqësisë në vendin tonë ka 4 vite që është kështu dhe sipas tij ministria nuk mund t’ia vërë fajin luftës apo krizës por faktin që nuk ka marrë masat e duhura në kohë.

Ndërkaq nga ana tjetër Drejtor i Politikave të Bujqësisë, Irfan Tarreli është shprehur se në kuadër të subvencioneve për bujqësinë këtë vit janë shtuar edhe 500 milionë lekë në buxhet, por sipas tij është situata ndërkombëtare që nuk mund ti shpëtonte as vendi ynë.

“Çmimi i produkteve dhe i lëndëve të tjera të para është e vërtetë që ka pësuar rritje. Nitrati, dapi, dhe ureja kanë rritje, por kanë dhe plehra të tjerë që kanë pasur pak rritje çmimi. Gjithashtu dhe nitrati i bagëtive ka rritje por kjo dhe për shkak të luftës në Ukrainë. Është e rëndësishme që ne përmes elementëve që kemi në dispozicion arrijmë që të zbusim këtë ndikim. Ne kemi rritur me mbi 500 milionë lekët të reja subvencionet për rritjen e çmimit të naftës. Kemi përcaktuar masën mbështetëse për të ulur barrën e imputeve. Gjithë kjo kosto nuk mund të përballohet vetëm përmes një instrumenti. Rritja e çmimit të lëndës së parë ka çuar dhe në rritjen e çmimit të produkteve.  Ne nuk prodhojmë vetë as nitratin, as urenë as dapin dhe në tregjet ndërkombëtare ka plehra të tjerë që mund të përdoren”, ka thënë ai.

Gjithashtu i ftuar në ABC Live për të diskutuar në lidhje me këtë ka qenë edhe fermeri nga Ura Vajgurore, Dashamir Çela i cili ka shprehur problematikat e tij në marrjen e ndihmës për blerjen e naftës apo rritjes së madhe të çmimeve.

Fermeri ka theksuar se e ka të pamundur që për shkak të rritjes së çmimeve të blejë plehrat kimik.

Një debat në lidhje me subvencionimin e fermerëve për çështjen e naftës është bërë në studio, ku përfaqësuesi i ministrisë është shprehur se të gjithë aplikantët e kanë marrë ndihmën e duhur, gjë që është kundërshtuar nga fermeri dhe nga Resuli.

Sipas këtyre dy të fundit skema për subvencionimin e naftës nuk funksiono dhe në vend të fermerit që mbarështon bagëtinë dhe punon tokën, përfituesit janë pronarët që e përdorin naftën për makinat private.

Pjesë nga diskutimi;

Resuli: Shifrat ministria e Bujqësisë për këtë vit i ka për mrekulli ka rritur dhe numrin e regjistrimit të fermerëve, por që sot që mbillet mistri fermeri nuk ka subvencione që jep qeveria.

Tareli: Nuk mund të përfitohet brenda ditës,

Çela: Nuk jam përfitues i asnjë litër naftë pasi siç dihet në vendin tonë një pjesë e madhe e tokës janë pa letra unë punoj 7-8 ha tokë dhe përfiton pronari i tokës naftën, ndërsa unë jo.

Tarreli: Nuk është kështu, duhet që të flisni për rastin tuaj dhe nëse ju keni aplikuar dhe nuk keni përfituar më thoni që ta konfirmoj.

Çela: Pronarët nuk na lënë që të marrin naftën, pasi atë e marrin ato që kanë tokën dhe jone që e punojmë dhe e përdorim për bagëtitë.

Resuli: Një gjë e tillë është shumë e vërtetë pasi është një problem që e kemi ngritur dhe një vit më parë, dhe ne kemi propozuar që nafta të jepet fermerëve përmes faturës së qumështit dhe fermerit që ka në pronësi fermat.

Ndër të tjera përfaqësuesi i ministrisë Tarreli është shprehur se është e vërtetë që ka probleme në informimin e të gjithë fermerëve, por autoritetet po punojnë që një gjë e tillë të bëhet më së miri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!