Probleme te Rruga e Arbrit, ish-deputeti i PD-së nxjerr pamjet: Qindra makina në kaos

schedule18:20 - 29 Nëntor, 2021

schedule 18:20 - 29 Nëntor, 2021

Vetëm pak orë pas hapjes, stuhia me shi dhe dëborë ka shkaktuar probleme të shumta në Rrugën e Arbrit. Rreth 100 automjete kanë mbetur të bllokuara në Qafën e Murrizit.

Reshjet e borës të rëna gjatë ditës së sotme kanë bërë që trashësia të shkojë në rreth 15 cm, në pikën më të lartë në afërsi të antenave ku lartësia nga niveli i detit shkon në 1260 metra.

Reshjet e borës  kanë zënë të pa përgatitur drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Tirana, të cilët nuk janë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë. Megjithëse ka kaluar borëpastruesja është dashur një shtresë e lehtë bore për t’u bllokuar rruga.

Ish-deputeti i PD-së Xhemal Gjunkshi ka publikuar pamjet e bllokimit të Rrugës së Arbrit nga moti i keq që ka përfshirë vendin. Ai shprehet se me qindra qytetarë janë bllokuar në aksin nga Tirana deri në Fshatin -Fshat (Klos).

Bllokimi i Rrugës së sapo hapur të Arbrit krijon kaos dhe pasiguri. Me padurim e pritën sot Dibranët hapjen e Rrugës së Arbrit dhe ashtu sikurse shumëkush edhe unë si Dibran do doja të ndihesha i gëzuar që u arrit të hapej një segment i rrugës.

Por, nuk mjaftuan vetëm disa orë nga inagurimi pompoz i 350 milionë Eurove të harxhuar nga taksapaguesit shqiptarë që kjo rrugë të bllokohej dhe të krijohet kaos. 

Me qindra qytetarë janë bllokuar në këto momente në aksin e sapo hapur, nga Tirana deri në Fshatin -Fshat (Klos).  Kjo është Qeveria e Shoë-ve e reklamave dhe tamtameve.  Qeveria të marre masa urgjente dhe të garantojë sigurinë e jetës të qindra qytetarëve, familjareve të cilët po qëndrojnë në kushte mjaft të  vështira të dëborës, ngricës dhe acarit” shkruan ai.

Pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës Balluku paralajmëroi se në momentin që do të ketë reshje dëbore “do të detyrohemi që të mbyllim pjesën e “bypass”-it, pasi është një rrugë provizore e ndërtuar deri në momentin që do të mbarojë tuneli i Murrizit”./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!