Problematikat e sezonit turistik, Klosi dhe Lleshaj takojnë prefektët

schedule14:57 - 8 Shkurt, 2019

schedule 14:57 - 8 Shkurt, 2019

Standardet për një turizëm cilësor duhet të vendosen pa nisur sezoni veror. Më këtë argument, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi dhe ai i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilluan një takim me prefektët. Përmes tyre mesazhe i dërguan dhe kryetarëve të bashkive.

Plazh privat apo publik. Kufiri mes tyre duhet të jetë i qartë pa nisur sezoni veror. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i bëri thirrje kryetarëve të bashkive të zonave bregdetare të bëjnë kujdes kur japin lejet për shfrytezimin e rërës.

“Fillimi i muajit Mars të realizohet i gjithë procesi dhe në fillim të muajit prill ta kemi të shënuar zonën se ku do të lundrohet. Është e pafalshme për një vend që pretendon që të jetë destinacion turistik ajo që na ndodhi vjet në Velipojë, ku falë ndërhyrjes së forcave të rendit u sistemua një lloj problematike që kishte të bënte me ndarjen dhe shfrytëzimin e rërës në vendet tona”, tha Klosi.

Ndërkohë plazhet nuk do të lejohet të funksionojnë pa plotësuar të gjitha kushtet e sigurisë. Ministri i Brendshëm, Sandsr Lleshaj, u shpreh se toleranca në këtë aspekt do të jetë zero.

“Monitorimi do të jetë i tillë që të garantojë që asnjë segment plazhi nuk fillon funksionin pa patur të krijuar të gjithë infrastrukturën e sigurisë sipas ligjit. Këtu nuk ka nevojë as për negociata, as për lënie kohe në dispozicion. Kohën e kanë, ata e dinë. Staf sigurie, duhen kulla sigurie”, tha Lleshaj.

Problematikat e sezonit turistik, ministrat Klosi dhe Lleshaj i diskutuan në një takim me prefektët, të cilëve iu kërkuan të nxisin kryetarët e bashkive të plotësojnë detyrimet e tyre ndër të cilat renditen dhe kushtet higjeno-sanitare e  ndarjen e zonave ku do të lejohet muzika e lartë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!