PRO DHE KUNDËR/ Nga Duro, te Gallo e Bulku: Moduli 3-5-2 ndez debate në Pressing

schedule23:45 - 19 Nëntor, 2020

schedule 23:45 - 19 Nëntor, 2020

Alpin Gallo është pjesë e panelit të emisionit “Pressing”ABC. Trajneri dhe ish-futbollisti i njohur i skuadrave më të mira në vend, analizon atë që ndodh me kombëtaren shqiptare dhe jo vetëm.  “Është bërë punë e mirë nga trajneri, kanë thirrur mjaft të rinj. Ata po mësohen me mënyrën e lojës.

Në ndeshjen e fundit Doka e Memolla kombinuan mirë me mesfushorët, Memushajn dhe Laçin. Krahu i djathtë duhet të ishte më agresiv. Cikalleshi i mbajti nën presion rivalët. Golat e pësuar janë për t’u diskutuar”, tha fillimisht Gallo.

Më tej ai u kap për pjesën e modulit: “E kemi parë që luajmë me tre mbrojtës. Do duhet të provonte edhe module të tjera në prapavijë. Kur kemi luajtur me tre, unë kam qenë skeptik për mënyrën e gabimeve”.

Në lidhje me këtë foli edhe trajneri Shpëtim Duro: “Kemi 6 mbrojtës që luajnë në Serie A, si dhe dy portierë. Gabuam në dy momente. Te goli i parë kishim nj vendosje gabim. Te goli i dytë kishim superioritete numerik. Kemi edhe Kumbullën që nuk luajti. Pashë edhe Çepelen, i cili ishte kopje e Kumbullës”.

“Reja e ka thënë që në fillim se do të luaj me tre. Në momente të veçanta mund të ndryshohet. Ai atë ide ka, për tre dhe nuk ka asgjë të keqe. Për në Ligën B mendoj se është moduli më i mirë. Pse? Sepse luajnë dy sulmues si Manaj dhe Cikalleshi para.

Unë nuk jam dakord që Uzuni e Roshi të luajnë në pesëshe. Më mirë të luajë 20 minuta në sulm, ku bëhet protagonist. Me Kosovën luajti në sulm, shënoi dhe dha asist. Me Kazakistanin luajti në krah”.

Në lidhje me këtë temë foli edhe Ervin Bulku, pjesë e stafit të trajnerit Reja: “Mbrojtja është reparti më i fortë i joni. Në të gjithë kompeticionin kemi pësuar dy gola, veç ndeshjes së djeshme. Nuk e kuptoj pse thoni që fut ujë. Pse me 3 pas? Kemi 6 mbrojtës që luajnë në Serie A, reparti më i mirë bashkë me portën.

Nuk kemi pse ndryshojmë, kemi shfaqur ekuilibër në të gjithë turneun. Në vështirësi nuk na ka vënë kush, asnjë kundërshtar nuk na ka dominuar. Mbrojtja është e konsoliduar, nuk kemi pse ndryshojmë. Janë lojtarë mbrojtës që i përshtaten shumë mirë kësaj skeme.

Uzuni? Dukë parë mungesat e tre lojtarëve të krahut të majtë, në dispozicion kishim Ismajlgecin dhe Uzunin. Menduam që Uzuni, një lojtar me cilësi të mira ofensive, menduam ta vendosnim në krahun e majtë, duke rrezikuar disi pasi nevojitej vetëm fitorja ndaj Kazakistanit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!