Federatat Sportive në Shqipëri janë në krizë financiare. Ato akuzojnë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për bllokim të fondeve, siç tregon sekretari i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni, në intervistën për ABC News.
Dikur ka qenë lavdi e Shqipërisë, me medalje. Sahit Prizeni fitoi argjend europian dhe bronz botëror si mundës kuqezi, ndërsa sot e sheh veten në pozitë shumë më të vështirë si drejtues. Sekretari i Federatës së Mundjes tregon problemin që kanë federatat dhe kërkesën për Ministrinë, në intervistën për Abc News.
“Jemi në vitin kalendarik olimpik, ku normat olimpike janë qëllimi i çdo sportisti. Kemi që nga dhjetori që janë bllokuar fondet, qoftë për rrogat e administratës së federatës, qoftë për mbarëvajtjen e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne kemi bërë një peticion dhe janë një pjesë e mirë e gjithë federatave, duke ju referuar grantit që është i bllokuar. Shpresojmë në një përgjigje të ministres. Fakti që e kemi një ministri sporti pa një drejtori sporti, tregon se çfarë neglizhence ka për sportin dhe ku ka përfunduar”.
Prizreni tregon sesa pengon bllokimi i fondeve, dhe sa i vogël është granti. “Aktualisht kemi kampionatin europian që zhvillohet me 13 shkurt në Romë të Italisë. Kam prerë biletat me të ardhura personale. DO të mbulojmë shpenzimet po me të ardhura personale. Është një fond prej 50 milionë lekësh të vjetra. Me këto 50 milion ne duhet të zhvillojmë te gjitha aktivitet ndërkombëtare dhe kombëtare, të paguajmë edhe sportistët kampion”.
Ai ka fjalë të ashpra për krizën në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Realisht jemi në një situatë ku Presidenti dhe Sekretari kanë dalë haptazi kundër njëri-tjetrit. Unë e kam thënë që para 10 vitesh se kjo situatë do ndodhë, por është vetëm çështje kohe. Janë një grupim njerëzish për interesa personale dhe jo për interesa të sportit. Shpresoj që Sekretari dhe Bordi drejtues të mbajnë përgjegjësi”, tha ish-mundësi në intervistën për gazetarin Bledar Kuka.
Prizreni nuk ka lëkundje kur bëhet krahasimi me kohën para vitit 90. “Kam qenë në klasë të kartë dhe vetëm prej faktit që isha me mundjen, te klasa dhe shoka Sahiti shihej ndryshe. Ka pasur një organizim të brezave dhe një seleksionim që jo çdokush merrej me sport. Kishte shumë kërkesa. Nëse do të ishte e mundur të kthehesha në kohë, do kthehesha pas”, ka përfunduar Prizreni. /abcnews.al