Pritet spektakël në “San Siro”/ Inter kërkon historinë në derbi për të fituar yllin e dytë, Milan gati për të “shuar” festën e kushërinjve

schedule08:30 - 22 Prill, 2024

schedule 08:30 - 22 Prill, 2024

Dy skuadra, një qytet i tërë në trazira për një derbi që pritet të hyjë në historinë e futbollit italian. Të hënën në mbrëmje, në një San Siro të mbushur totalisht, do të vihet në skenë një shfaqje globale, e transmetuar në mbi 200 shtete. Nga njëra anë është Interi, i cili në rast triumfi, do të fitonte matematikisht yllin e dytë me 5 ndeshje më pak, dhe nga ana tjetër, është Milani, i cili u largua me kocka të thyera nga Europa League, me kuqezinjtë të cilët do të bëjnë gjithçka për të parandaluar kushërinjtë e tyre të mos festojnë Scudetton për herë të parë në histori në një derbi.

Milan, aktualisht në vendin e dytë, ka humbur pesë derbit e fundit të luajtura, ku triumfi i fundit ishte më 22 shtator të vitit 2022. Pioli nuk ka pasur një sezon të mirë dhe pritet që në fund të tij të largohet. Eliminimi nga Roma në Europa League duket se i dha trajnerit italian goditjen finale, me drejtuesit e klubit të cilët nuk e përtypën këtë disfatë. Tifozët e Milanit, edhe pse të zhgënjyer këtë sezon, presin dhe shpresojnë se të hënën mbrëma Milan të bëjë një performancë të mirë dhe të mos lejojë Interin të fitojë yllin e dytë në këtë përballje.

Inter, ka një atmosferë krejt ndryshe. Zikaltërit kryesojnë bindshëm në Serie A dhe tashmë janë të etur për fitoren e radhës, fitoren finale për të qendisur në fanellën e tyre yllin e dytë. Djemtë e Simone Inzaghit janë të karikuar për këtë mbrëmje magjike dhe të bindur për të shkruar këtë histori në futbollin italian, për të shënuar një fitore për të gjithë sezonin në derbin e Milanos.

Edhe pse Lautaro me Thuram nuk janë në formën e tyre të plotë, por pjesa e tjetër e skuadrës janë një tjetër armë për Inzaghin, të cilët kanë qenë vendimtarë në përballjet e fundit.

“San Siro” do të jetë me kapacitet të plotë dhe ky stadium ikonik italian do të presë sfidën Inter-Milan të hënën mbrëma, në orën 20:45./ h.ll/abcnews.al

Formacionet e mundshme:

Milan (4-2-3-1): Maignan; Kalabria, Gabia, Tomori, Theo Hernandez; Adli, Reijnders; Musah, Loftus-Cheek, Pulisic; Leao. Trajner Pioli

Inter (3-5-2): Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Darmian, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Thuram, Lautaro. Trajner Inzaghi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!