Sërish është një skuadër angleze që po dominon. Nëse vjet ishte Liverpuli që arriti fitore pas fitoreje në fazën e grupit në Champions, stafetën këtë sezon e ka Arsenali.
Skuadra londineze, që po shkëlqen në çdo konkurrim, pasi arriti suksesin e shtatë radhazi, këtë herë në “San Siro”. Pasi mundën Bajernin në “Emirejts”, “topçinjtë” shkatërruan Interin në “San Siro” me shifrat 3-1.
Në një ndeshje të fortë, ku italianët nuk është se u dorëzuan, vendosi ritmi më i lartë i anglezëve. Gabriel Zhezus shënoi dy gola, për avantazhin 1-0 dhe pastaj 2-1, duke bërë të pavlefshme rrjetën nga kroati i ri, Petar Suçiç.
Sulmuesi hungarez, Viktor Gjëkeresh vulosi sfidën gjashtë minuta para fundit. Statistikat janë aty-aty në gjithçka, në gjuajtje në total e në kuadrat, në zotërim topi dhe në numër pasimesh, por Arsenali ishte më I rrufeshëm, pra më I rrezikshëm.
Kjo ishte disfata e tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, pas atyre në Madrid ndaj Atletikos dhe në Milano kundër Liverpulit. “La Gazeta delo Sport” komenton: Interi nuk mjafton! Champions, Arseali shënon 3, e vështirë për në të tetat e finaleve!
Po ashtu, e përditshmja raporton fjalët e trajnerit Kivu që thekson se Arsenali pati nivel të çmendur, dhe se një ritëm i tillë nuk ekziston në Itali. “Oh Jezus”, – është titulli në “Il Korriere delo Sport”, që bën lojë fjalësh me mbiemrin e sulmuesit brazilian që shënoi dy gola: Zhgënjim në Champions!
Nga Anglia, “Deili Meil” shkruan se Topçinjtë e pathyeshëm bënë detyrën dhe u konfirmuan si favoritët në Ligën e Kampionëve! Arsenal kryeson renditjen me 7 fitore radhazi, pra me 21 pikë të plota, ndërsa për momentin është jashtë zonës që të kualifikon direkt, në vendin e 9-të dhe mund të zbresë edhe më poshtë. Tashmë duhet fitore në Dortmund, por italianët nuk e kanë fatin në duart e tyre.


