Pritet inaugurimi i “Kukës Arena”, po punohet intensivisht edhe në aneksin e stadiumit

schedule22:15 - 8 Prill, 2022

schedule 22:15 - 8 Prill, 2022

Investimet infrastrukturore të Federatës Shqiptare të Futbollit në qytetin e Kukësit nuk mbarojnë vetëm me përfundimin e një vepre madhore për Shqipërinë siç është stadiumi i ri “Kukës Arena”.

Sipas “fshf.org” , së shpejti këtij qyteti do t’i shtohet edhe një fushë me përmasa të mëdha që po ndërtohet nga e para ngjitur me stadiumin e ri dhe do të shërbejë si një kompleks stërvitor për të gjitha ekipet e Kukësit.

Bëhet fjalë për një bashkëfinancim me Bashkinë e Kukësit, teksa FSHF do të investojë në këtë fushë të re një shifër të përafërt me 15 mijë euro. Punimet për këtë fushë po ecin me ritme të shpejta dhe pritet që për një muaj të jetë gati për të pritur seancat stërvitore të ekipeve të Kukësit.

Së bashku me stadiumin e ri, aneksi stërvitor i ndërtuar nga e para pritet të sjellë një hov cilësor për futbollin kuksian dhe për ekipet zinxhir, që tashmë do të kenë një infrastrukturë moderne.

Infrastruktura sportive është gjithmonë në fokusin e Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka ndërhyrë në shumë stadiume të vendit, por edhe fusha të shumta stërvitore edhe në kuadër të projektit të 100 fushave, që ka gjetur mbështetjen e disa bashkive.

Ndërhyrje të shumta në infrastrukturën sportive me mbështetjen financiare të FSHF-së janë bërë edhe në Kukës, Lushnje, Shkodër, Durrës, Tiranë, Bulqizë, Maliq e Gjirokastër, duke i dhënë një mbështetje të madhe zhvillimit të futbollit.

/f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!