Priten “shkëndija” mes Biden dhe Sanders

schedule23:45 - 14 Qershor, 2019

schedule 23:45 - 14 Qershor, 2019

Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur ethet për debatin e parë presidencial, mes kandidatëve që vijnë nga radhët e demokratëve. I planifikuar për në fund të qershorit, debati më i nxehtë pritet të jetë ai mes Xho Bajden, i pari në sondazhe, dhe Berni Sanders që vjen menjëherë pas tij.

Kandidatët për nominimin e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Shteteve të Bashkuara do të përballen në debatin e parë televiziv më vonë gjatë muajit. Debati do të jetë i ndarë në dy netë, më 26 dhe 27 qershor, ku protagonist absolut pritet të jetë ish-zëvendës presidenti Xho Bajden, më i kuotuari në sondazhet e fundit.

Bëhet fjalë për 20 pjesëmarrës, të cilët janë ndarë 10 me 10 sipas një shorti të rastësishëm të hedhur nga NBC, që do të transmetojë dhe debatin. Natën e parë do të jenë në të njëjtën skenë mes të tjerësh Elizabeth Uorren, Kori Buker, Emi Klobuçar, Bet Ou Rurk, si dhe 6 rivalët e mbetur. Më e nxehtë pritet të jetë ndërkohë nata e dytë, ku Xho Bajden do të ketë përballë rivalët më të akredituar si Berni Sanders, Kamala Herris dhe Pit Butixhixh.

Radha premton shkëndija mes Bajden dhe Sanders, që në anketa ndodhet në vendin e dytë dhe që ka treguar vullnet për të kritikuar kryesuesin e garës, ish-krahun e djathtë të Barak Obama. Ndërkohë që nata e parë mund të shërbejë si skenë për Uorren, që në shumë sondazhe ka zënë vendin e tretë.

Dy netët e debatit do të transmetohen direkt në rrjetet NBC dhe Telemundo, si dhe do të transmetohen online falas, në një seri platformash dixhitale dhe sociale. Pavarësisht emrave më të kuotuar, nuk është për t’u nënvlerësuar edhe kandidati homoseksual Butixhixh, që në fushatat e deritanishme ka fituar simpati tek elektorati, përmes premtimeve për ta bërë Amerikën një shtet më social./ABC News Albania 24/7