Priten ndryshime të mëdha në Superligë në Janar

schedule14:47 - 26 Dhjetor, 2017

schedule 14:47 - 26 Dhjetor, 2017

Skuadrat e Superligës kanë plane të mëdha për transferimet e janarit. Skënderbeu, Flamurtari e Partizani duken më aktivët për blerje të lojtarëve të rinj.

Le ta nisim me më të mirët.

Skënderbeu ka plane të rëndësishme në janar dhe në qershorin e ardhshëm.

Orges Shehi, portieri 40-vjeçar, pritet ta mbyllë karrierën në fund të edicionit dhe korçarët kanë menduar që tani për pasardhësin.

Besohet se ai do të jetë Gentian Selmani, portieri 19-vjeçar i Laçit.

Nuk ka asnjë konfirmim, por Selmani është dalluar këtë sezon dhe Skënderbeu po e konsideron.

Klubi korçar nuk është se ka zbuluar planet e tij për janarin, por burime pranë tij pohojnë se synimi kryesor është përforcimi në sulm.

Vetëm Soue nuk mjafton, ndërsa lojtarët e tjerë ose kanë pësuar dëmtime, ose nuk janë qendërsulmues të mirëfilltë.

Shumë aktiv Flamurtari, madje presidenti Idrizi ka një ëndërr të madhe, Ledian Memushajn.

Pritet që administrator i klubit të bëjë ofertë për mesfushorin e Peskarës dhe të kombëtares shqiptare.

Transferimi duket i vështirë, ndonëse jo i pamundur, ndërsa 31-vjeçari vlonjat do të mendohet mirë, duke pasur si dëshirë të parë që të vazhdojë karrierën jashtë vendit.

Nëse Memushaj është dëshira, mundësitë konkrete janë të tjera.

Mësohet se trajneri Shpëtim Duro ka arritur marrëveshje me Argjent Beqirin që luan në kampionatin e Maqedonisë.

Beqiri është lojtar krahu dhe sulmues, 29 vjeç, dhe luan për Renovën në ligën e parë maqedonase.

Ai ka luajtur për shumë vite me Renovën duke qenë një lojtar me shumë përvojë.

Vlonjatët kanë afruar më parë edhe sulmuesit Muarem Muarem dhe Igor Nedeljkoviç.

Aktiv në janar pritet të jetë edhe Partizani.

Kryeqytetasit duan sulmues dhe mësohet se ia kanë vënë syrin të riut Çinari të Vllaznisë, ndërsa duan të japin si shkëmbim Sukajn.

Partizani mendon edhe për Lamin Jauo nga Karpi.

Jauo është 22 vjeç, sulmues, 1.93 metra shtatlartë dhe është i huazuar nga Karpi tek Siena dhe Feralspisalo.

Besohet se mesfushori hungarez, Adorjan do të largohet, ndërsa Çani dëshiron të provojë veten dhe të rikthehet.

Kukësi ndërkaq ka si shqetësim kryesor trajnerin, me alternativa nga jashtë Shqipërisë për të zëvendësuar të larguarin Mladen Milinkoviç.

Nuk dihet ndërkaq, cila do të jetë e ardhmja e sulmuesit Alijev apo e malazezit Krkotiç.

Një nga klubet më të lakuar në transferime është Luftëtari, por më shumë për largime sesa për afrime.

Gjirokastritët duan të mbajnë yjet e sulmit, Abazajn e Bregun./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!