Ricard Grenell do të jetë i dërguari special i presidentit amerikan Trump në dialogun Kosovë – Serbi. Emërimi i ambasadorit amerikan në Gjermani, u mirëprit nga presidenti Thaçi, qe e quajti një dëshmi të mbështetjes së Kosovës nga SHBA.
Kosova e ka mirëpritur deklaratën e presidentit amerikan Trump për emërimin e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani si të dërguar të tij për dialogun Prishtinë Beograd.
Për presidentin Hashim Thaçi ky emërim është një tjetër dëshmi që Trump dhe administrata amerikane qëndrojnë pranë Kosovës në çdo hap të rëndësishëm.
“Tashmë jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, deklaroi Thaçi.
Këtë emërim e ka mirëpritur edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
“Do të punojmë dhe angazhohemi bashkërisht rreth dialogut pa kushte, për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues” ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se kjo konfirmon në mënyrë faktike përfshirjen e SHBA-së në dialog.
“Përfshirja e mëtejshme e SHBA-së me persona të dërguar për dialogun është tregues i mossuksesit evropian për të përmbyllur një proces mbi të cilin ka marrë një përgjegjësi prej kohësh”, deklaroi Përparim kryeziu.
Ai ka shprehur shqetësime për profilin e të dërguarit të SHBA-së për dialogun.
“Ai pritet të përfshihet në një proces pa një ekspertizë dhe pa një përvojë substanciale në rajon. Kjo është një karakteristikë shqetësuese mbi profilin e këtij të emëruari”, theksoi Kryeziu.
Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.
Ai gjithashtu ka qenë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet.
Bashkësia Ndërkombëtare posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht janë duke bërë trysni që të rifillojë dialogu Prishtinë-Beograd menjëherë pas krijimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve në Kosovë./ABC News Albania 24/7