Prishtina bën detyrën, titulli drejt kryeqytetit. Drita ngec ndaj Ballkanit

schedule17:19 - 9 Maj, 2021

schedule 17:19 - 9 Maj, 2021

Fiton Prishtina në IPKO Superliga, teksa mbyllet pa fitues dueli Drita-Ballkani. Ekipi kryeqytetas triumfoi 2-1 kundër Feronikelit, duke hedhur një hap drejt titullit kampion. Leonit Abazi kaloi vendasit në avantazh, ndërsa më pas u realizuan dy autogola.

Ekipi nga Drenasi barazoi në pjesën e parë falë autogolit të Ardit Nikës, por Florjan Smakiqi dërgoi topin në portën e tij në mesin e pjesës së dytë, duke i dhuruar tre pikët e çmuara Prishtinës. Vendi i parë me 75 pikë për “Plisat”.

 

Rezultatet e sotme

Pesë pikë është diferenca me vendin e dytë, teksa kanë mbetur për t’u luajtur edhe dy javë në kampionatin dardan të futbollit. Drita nuk ia doli të thyejë Ballkanin në Gjilan, dhe me shumë mundësi do i duhet t’i dorëzojë kurorën Prishtinës.

Xhevdet Shabani kaloi vendasit në avantazh në minutën e 17-të, por goleadori Mirlind Daku riktheu baraspeshën në minutat shtesë të fraksionit të parë të ndeshjes. Përfundimisht 1-1, Drita në vend të dytë dhe Ballkani i treti me dy pikë më pak se “Intelektualët”.

 

Renditja e kampionatit

Llapi iu fal golit të mbrojtësit Prenci për të fituar 1-0 në Podujevë kundër Besës së vendit të fundit. Fitore arriti edhe Trepça ’89, që siguroi tre pikë jetike pas suksesit 2-1 ndaj Gjilanit.

Ekipi mik e mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të Kelmendit, por Arbnor Muja nderoi skuadrën nga Mitrovica me dy golat e realizuar në pjesën e dytë. Takimi tjetër, ai mes Arbërisë dhe Drenicës, përfundoi në barazim 1-1. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!