Prindërit publikojnë videot e 3-vjeçarit që ndërroi jetë në kopsht: Si e mësuam lajmin

schedule22:24 - 18 Janar, 2022

schedule 22:24 - 18 Janar, 2022

Pak ditë më parë, lajmi se një fëmijë 3-vjeçar humbi jetën në rrethana të paqarta në një kopsht privat në Fier, tronditi opinionin publik.

Prindërit e fëmijës, treguan për emisionin “Stop” ditën tragjike, që kur çuan 3-vjeçarin Noah në kopsht, e derisa u njoftuan nga edukatorja kujdestare Redina Binjaku për ngjarjen.

“Edhe atë ditë kishte furgon që ta merrte. Atë vendos që ta dorëzoj vetë. Shkoj dhe ia dorëzoj edukatores. Pashë që çuni u ngjit tek shkallët për të ikur vetë si gjithmonë, e takova e putha. E morën, u ngjit sipër edhe kaq. Mua më mori nusja në telefon, rreth orës 12:30, 1 pa ca, më thotë “kthehu urgjent tek spitali sepse çuni është mbytur dhe është në spital”. Më thotë, “kam folur me mësuesen, është përmendur, por nisu urgjent sepse duhet të jemi atje”. Kam marrë edukatoren, më thotë, “është mirë, hajde urgjent këtu dhe më mbyll telefonin”. E marr sërish mësuesen në telefon dhe më thuaj si është Noah, është Noah me ne? Më thotë jo. Aty nuk mbaj mend se si kam arritur. Di që kam arritur deri në spital. Aty gjeta Donën”, tregoi i ati.

“Unë në atë moment isha duke punuar. Ishte ora 12:28 se kam parë telefonatën e parë që më ka bërë dhe më thotë sikur nuk kishte ndodhur gjë fare. Më thotë, në punë je? Në punë i them. Thotë a mund të vish pak në Fier? Djali thotë kur ishte në gjumë është lidhur me lidhëset e bluzës. Dhe e pyes, zë me të qarë aty edhe e pyes, është mirë djali? Unë jam në spital thotë, jam te spitali i Fierit, djali është mirë, është përmendur, vetëm hajde… Vetë edukatorja e djalit, Redina, ajo ma ka thënë këtë gjë”, tha e ëma e 3-vjeçarit.

Ndërkohë gjatë emisionit “Stop” janë publikuar video të vogëlushit të ndjerë, teksa e ëma e tij i mësonte të lexonte, apo të shqiptonte siç duhej fjalët.

Më pas, në “Stop” u trajtuan edhe pistat e hetimit. Fillimisht prindërve u është thënë nga edukatorja Redina Binjaku se është mbytur me lidhëset e bluzës, pistë që më pas u hodh poshtë nga e motra e edukatores, e cila në një video thotë  se Binjaku i ka rrëfyer se djalin e ka gjetur të varur./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!