Sopranoja shqiptare e skenave ndërkombëtare, Linda Kazani ka treguar se prindërit e saj nuk donin që ajo të ndiqte rrugën e artit.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ajo rrëfeu që prindërit e çuan fillimisht të studionte piano për pasion, pasi donin që ajo të bënte një shkollë zanati dhe jo për artin.
Mirëpo, gjërat ndryshuan rrugës dhe Linda u dashurua me kanton, duke arritur t’ia mbushte mendjen dhe babait të saj, i cili sot e ndjek në çdo shfaqje.
“Prindërit mua më çuan që të studioja piano. E kishin ndarë mendjen që unë të mbaroja gjimnazin, të merrja një shkollim. Im atë është inxhinier, mamaja ime laburante-dentiste. Donin që unë të bëja shkollë zanati, jo për artin. I pëlqen të këndojë, le të dali të këndojë. Atëherë mblidheshin të gjithë te Shtëpia e Pionerit dhe mësonin nga një instrument. Unë mësova pianon për 8 vjet dhe në një moment një profesoresha ime më thotë që do të provosh një herë për kanto. Edhe unë fola me prindërit, ata nuk donin. Një kushëriri i parë i mamit tim, ishte dirigjent dhe më dëgjon, edhe i thotë prindërve të mi, është një talent i lindur, mos e pengoni. Edhe më mësoi një vepër për babain dhe ai u emocionua, edhe pranoi”, tregoi sopranoja./abcnews.al