Princi i Monakos për herë të parë në Shqipëri

schedule14:20 - 16 Tetor, 2018

schedule 14:20 - 16 Tetor, 2018

Princi i Monakos Alberti II është pritur me ceremoni shtetërore, në vizitën e parë të një monarku të Principatës, nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Albert II po zhvillon një vizitë dy ditore në vendin tonë.

I urohet mirëseardhja për herë të parë në Shqipëri princit të Monakos Alberti i dytë. Princi Sovran i Monakos u prit nga presidenti i Republikës Ilir Meta, duke i dhënë edhe Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin “Për kontributin e çmuar në inkurajimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”.

Kreu i shtetit i shprehu Princit “mirënjohje të veçantë për njohjen e Shtetit të Kosovës nga Principata e Monakos, 10-vjet më parë”.

Më herët pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert i II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert i II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive.

“Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Fondacioni Princit të Monakos dhe Shoqata për financim të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe, po i japin strukturave dhe shoqatave përgjegjëse shqiptare për mbrojtjen dhe promovimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtura detare shqiptare.

Të dy Krerët e Shtetit vlerësuan angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke nënvizuar interesin për të bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim.

Në praninë e të dy Krerëve të Shteteve, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert i II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!