Primaret, Berisha asnjë propozim për drejtuesit/ Ia lë në dorë Këshillit Kombëtar, nisin dorëheqjet e kryetarëve të degëve

schedule15:12 - 27 Janar, 2025

schedule 15:12 - 27 Janar, 2025

Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht garën e primareve, me kryetarët e degëve të cilët janë të vetmit pas kryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm që janë votëbesuar njëherë apo disa nga baza e demokratëve.

Nëntë kryetarë degësh të konfirmuar nga Partia Demokratike, kanë dhënë dorëheqjen sipas statutit për të garuar si kandidatë në primaret për deputet.

Nga ta, bie në sy ish-gjyqtari Gjin Gjoni në Lezhë, ndërsa pasohet nga kryetarët e degëve të Elbasanit, Himarës, Sarandës, Kavajës, Librazhdit, Durrësit, Dibrës dhe degës së Kasharit në Tiranë.

KRYETARËT E DEGËVE TË PD TË DORËHEQUR PËR PRIMARET

1.GJIN GJONI, LEZHË

2.LUAN HOTI, DURRËS

3.HYSEN KADIU, KAVAJË

4.BLEDI HIMÇI, ELBASAN

5.ILIR KROSI, DIBËR

6.ILIR ALLIU, LIBRAZHD

7.AFROVITA DHIMOJANI, HIMARË

8.MANJOLA NIKOLLO, SARANDË

9.ARSEN VALISI, KASHAR, TIRANË

Në konferencën e të hënës, kryedemokrati Sali Berisha beson se numri i të dorëhequrve është më i madh, duke nënkuptuar se po pret të tjera pavarësisht afatit.

“Në dijeninë time janë 5, por kjo nuk është shifër përfundimtare. Natyrisht, që një kryetar dege të kandidojë në primare duhet të dorëhiqet, kjo është statutore, ndryshe jo. Por, një kryetar dege gëzon gjithë të drejtën për t’u bërë kandidat në primare, kandidat për deputet dhe deputet”.

Pas deklaratës së javës së shkuar për primaret, se fatin e drejtuesve politikë do e caktojë Këshilli Kombëtar, Berisha zbuloi se nuk do të bëjë asnjë propozim, që drejtuesit e tij të futen në listën e mbyllur apo të shkojnë në primare, duke ua lënë në dorë 150 anëtarëve të Këshillit.

“Nuk kam ndërmend t’i ndikoj askujt paraprakisht me qëndrimin tim. Kam ndërmend që këtë ta diskutojmë në Këshillin Kombëtar. Se nuk ka kuptim nëse unë paragjykoj ose jap mendime paraprake. Jo, Këshilli Kombëtar do vendosë”.

Kjo, pasi sipas Berishës, Këshilli Kombëtar është i pa orientueshëm, dhe ai nuk e parashikon dot votën e tyre, edhe pse deri më sot asnjë propozim i tij nuk është kundërshtuar apo rrëzuar, pasi individualisht thuajse të gjithë prej tyre janë ithtarë të kryedemokratit.

“Si e gjykon Këshilli Kombëtar, unë nuk mund ta marrë përsipër. Së pari, nuk po orientoj asgjë sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin. Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar. Dhe unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve”.

Edhe pse nuk ka ende asnjë udhëzim se si do të zhvillohet primaret e Partisë Demokratike, ccfarë ka sjellë edhe debate të brendshme, Berisha pranoi se ka në tryezë tre propozime, primare në nivel kombëtar, qarku apo dege, por duke parë sistemin aktual zgjedhor, sipas tij të pranueshme janë vetëm dy të fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!