Debati për pabarazinë mes meshkujve dhe femrave nuk ka rënë në vesh të shurdhët. Të paktën në Britani, 6 prezantues veteranë të BBC-së janë shprehur të gatshëm të shkurtojnë pagën e tyre, për t’u ardhur në ndihmë kolegeve femra.
Gjashtë nga prezantuesit kryesorë të rrjetit informativ britanik BBC kanë rënë dakord për reduktimin e rrogës së tyre, pas polemikave mbi pabarazinë e pagës. Prezantuesit veteranë Huw Edwards, Nicky Campbell, John Humphrys, Jon Sopel, Nick Robinson dhe Jeremy Vine kanë pranuar të gjithë shkurtimin.
Kjo lëvizje vjen pas dorëheqjes së Carrie Gracie nga posti i redaktores për Azinë, në shenjë proteste ndaj pabarazisë mes redaktorëve ndërkombëtarë.
“Ky problem duhet të zgjidhet dhe unë i mbështes koleget femra”, ka deklaruar Jeremy Vine.
Vine, prezantues i “Radio 2” dhe spektaklit “Eggheads” ishte më i paguari i grupit, duke marrë nga deri në 750 mijë stërlina në periudhën 2016-2017. Ndërsa Jon Sopel, redaktor i BBC për Amerikën e Veriut, fitoi vitin e kaluar rreth 250 mijë stërlina, shumë më tepër se rroga vjetore e Carrie Gracie, prej 135 mijë stërlina në vit.
Ndërkohë, niveli i rrogave të reja nuk është publikuar ende, por në një deklaratë BBC vlerëson nismën e veteranëve të saj.
“Këta janë gazetarë dhe prezantues të mëdhenj, të cilët janë në kontakt real me audiencën. Ne jemi krenarë që i kemi në kompaninë tonë”, thuhet në deklaratë.
Në të shtohet se ndryshimet në pagë janë në diskutim e sipër dhe pritet të vendoset pas bisedimeve që do të zhvillohen me stafin e BBC./abcnews.al