Richard Quest, CNN
Kolla më është rikthyer papritur, pa më paralajmëruar, ashtu si edhe lodhja. Më duhet ta them se nuk jam aq i mërzitur apo i zhgënjyer sa jam tani, as kur mora vesh që isha infektuar me koronavirus. Si shumë të tjerë, unë tani po e kuptoj se po jetoj dhe po vazhdoj të vuaj ende nga Covid-19.
Unë u infektova në mes të prillit, simptomat më filluan shumë shpejt. Vura re që ndihesha shumë i lodhur dhe simptoma e para ishte një kollë e thatë. U testova dhe një mëngjes, mora një telefonatë nga qendra mjekësore, ku më treguan se kisha rezultuar pozitiv me koronavirus.
Virusi është si një tornado. Kur vjen, të prek gjithë trupin duke shkaktuar kaos, konfuzion dhe duke shkaktuar dëme në secilin organ që ky virus prek. Disa nuk do t’i mbijetojnë vizitës së virusit. Unë kam pasur simptoma të buta pasi kurrë nuk kam pasur vështirësi në frymëmarrje, humbje të nuhatjes apo shijes. U treta nga lodhja dhe gjithmonë kisha kollën që më bezdiste dhe e cila më është rikthyer përsëri.
Kollitja që vjen nga Covid nuk është si një kollë e zakonshme. Unë do ta quaja si diçka të veçantë pasi është një kollë e thatë, e butë, e vrazhdë. Në rastin tim, në fillim nisi si një kollë e thatë, më pas e vrazhdë dhe me shtrëngime në gjoks. Unë rezultova negativ për virusin dhe pozitiv për antitrupat dhe doktori më tha që nuk kisha përse të shqetësohesha por unë e di që kjo kollë që kam nuk është kollë e zakonshme.
Jam duke zbuluar edhe probleme të tjera që kam në organizëm: Tani jam bërë shumë i ngathët. Unë kurrë nuk kam qenë një person i shkathët por që të bëhesha dikush përtac e i ngathët është përtej pritshmërive të mia. Nëse dua të marr një gotë në dollap, do të rrëzohet në dysheme dhe ndonjëherë jam unë ai që rrëzohem dhe bie në dysheme. Është sikur ajo pjesë e trurit tim, i cili në mënyrë të ndërgjegjshme komandon veprimet e mia nuk po funksionon më.
Nuk di çfarë t’i quaj, simptoma apo efektet pas Covid-19, por ajo çfarë di të them është se trupi im nuk ndihet mirë. Mjekët përpiqen të më sigurojnë duke më thënë, se çdo gjë do të kalojë por ata nuk më thonë se kur. Java e kaluar ishte e tmerrshme. Nuk më pushonte kolla për ditë rresht, isha i lodhur dhe kisha shumë nevojë të flija. Ndihem i shqetësuar, por ende nuk kam panik. Më duket se kjo javë ishte më ndryshe se java e kaluar dhe mendoj se ndihem pak më mirë.
Për ata që nuk kanë qenë të infektuar me Covid, ose kanë qenë dëshmitarë të problemeve që lë pas, unë ju bëj thirrje, bëni gjithçka që mundeni për të shmangur këtë tornado.
Do të përshkojë të gjithë trupin tuaj, do të dëmtojë çdo organ gjatë rrugës së tij dhe pastaj kur të mendoni se e keni kaluar dhe të falënderoni Zotin, do të kuptoni që pavarësisht se ai është zhdukur nga ju, dëmi që ka shkaktuar ngelet ende në organizmin tuaj. Covid-19 është si një tornado që duket sikur nuk do të mbaroj kurrë./abcnews.al