Presioni për taksën, mediat kosovare publikojnë letrat zyrtare të Serbisë

schedule22:33 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 22:33 - 8 Dhjetor, 2018

Mediat kosovare kanë publikuar tre letra zyrtare të qeverisë serbe me të cilat ushtrohet presiona ndaj CEFTA, për të ndikuar në Prishtinë. Kjo për heqjen e taksës prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe që hyjnë në Kosovë.

Serbia vazhdon reagimet e saj për taksën prej 100 për qind që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve serbe që hyjnë në vend. Për këtë arsye, qeveria serbe nuk po i ndalon presionet ndaj institucioneve të shumta ndërkombëtare, sidomos ndaj CEFTA-s. Kryeministrja serbe Brnabiç, bashkë me ministrat e saj i kanë shkruar disa letra CEFTA-s dhe institucioneve tjera evropiane duke kërkuar ushtrimin e presionit ndaj Kosovës për të hequr këtë taksë.

Media kosovare, Indeksonline, ka siguruar disa nga këto letra konfidenciale të cilët kanë të njëjtën kërkesë, eliminimin e taksës 100%. Një nga letrat e dërguara është për drejtorin e sekretariatit të CETFA-s në Bruksel, të cilit i kërkohet që të konsultohet me organet e UNMIK-ut në Prishtinë për rritjen e tarifave të importit të Kosovës.

“Duke parë përshkallëzimin e krizës ekonomike dhe humanitare, qeveria e Serbisë kërkon nga sekretariati i CEFTA-s që të marrë masa sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet ndër të tjera në letrën e Ana Brnabic, dërguar CEFTA-s.

Letër të tillë ka dërguar dhe ministri i Tregtisë,Turizmit e Telekominikacionit serb, Rasim Llajic. Po ashtu, Serbia zyrtarisht i ka dërguar CEFTA-s një ankesë me tri pika.

  1. Masat e ndërmarra nga institucionet vetëqeverisëse të Prishtinës shkelin marrëveshjen e CEFTA-s.
  2. Republika e Serbisë i bën thirrje Prishtinës të tërheqë këto masa menjëherë.
  3. Serbia do të bëjë kërkesë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga kjo taksë.

Letra me të njëjtat kërkesa i janë dërguar edhe përfaqësuesit të OKB-së në këtë institucion, Zahir Tanin./abcnews.al