Kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat këtë të martë është shprehur se kandidatët e foltores e kanë pasur mundësinë që të kandidojnë në siglën e PD-së, por që presioni i bërë nuk i ka lënë.
Sipas tij Berisha po i detyron një pjesë të votuesve demokratë që të votojnë kandidatët nën siglën e një partie të majtë.
Gjithashtu ai është shprehur se Këlliçi e ka pasur mundësinë që të garonte nën siglën e PD-së.
LEXO EDHE: “PD në situatë kaotike”, Alibeaj: Dalja me kandidatë. Vendim i debatuar gjatë në forume
“Deri dje çështja e regjistrimit të Partisë Demokratike ka qenë pezull. Dora jonë ka qenë e shtrirë për kandidatët e foltores që kanë dashur dhe unë e di që ka pasur, por që janë penguar për të kandiduar nën siglën e partisë. Në këtë situatë politike të vështirë që ne kemi qenë uroj të kemi dhënë një model. Unë jam po kaq i sigurt se nëse kryesia do të merrte një vendim ndryshe nga i imi do ti bindesha, sa i përket Tiranës dua të them se Belind Këlliçi pati mundësinë që të përfaqësohej me PD, pavarësisht nga ajo që unë mendoj, asnjë inat, apo akuzë e padrejtë drejtuar ndaj meje që të ngrihem mbi to dhe të zgjas dorën e bashkëpunimit për demokratët që besojnë në vlerat e partisë, por zgjatimet e politikës së vjetër vijojnë me pazare, duke u kërkuar demokratëve që me 14 maj të votojnë nën siglën e LSI një partie të majtë. Në një listë demokratësh që do të shitet si aleancë, pazari mes Ilir Metës dhe Berishës është mënyra për të mbajtur peng demokratët duke i detyruar që të votojnë një parti të majtë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera është shprehur se ka zgjedhur mos i përgjigjem shpifjeve të pabaza të atyre që në 30 vite janë puthur dhe pështyrë me çdo politikan të partisë së vet apo të kundërshtarit politik
“Kam zgjedhur të mos i përgjigjem shpifjeve të pabaza të atyre që në 30 vite janë puthur dhe pështyrë me çdo politikan të partisë së vet apo të kundërshtarit politik. Kam zgjedhur të jem etik, të mos përdor kurrë banalitete apo epitete të shëmtuara as për kundërshtarët politik. Përveç akuzave të pabaza nuk kam parë ndonjë fakt që të vërtetojë se kam bashkëpunuar me Ramën apo me dikë tjetër nga Rilindja”, tha ai. /abcnews.al