Presioni ndërkombëtar për referendumin, opozita unike në përkrahje të Kurtit

schedule14:13 - 14 Janar, 2022

schedule 14:13 - 14 Janar, 2022

Si rrallë her, partitë opozitare në vend i ka dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Express

Përkundër presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, liderët e tri partive opozitare janë në një vijë me kryeministrin Kurti, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se partia e tij pret respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni.”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe për kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, është antikushtetuese mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ai ka deklaruar për Express se kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai tutje ka shtuar se “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”.

Ndërkaq zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, ka deklaruar për Express se ky referendum është përpjekje për ta ushtruar sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.

“Në territorin e Republikës së Kosovës, nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendum i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën”, ka deklaruar Blaka.

Blaka tha se AKK-ja i mbështet të gjithë ata që e kundërshtojnë organizimin e këtij referendumi.

“Inkurajojmë dhe mbështesim të gjithë ata që e kundërshtojnë organizimin e këtij referendumi. Presim që zyrtarët e BE-së të jenë, së paku të paanshëm në raport me këtë çështje kaq të ndjeshme juridike e politike”, ka deklaruar Blaka.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani. Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për nesër, derisa do të dal sot me një komunikatë të përbashkët me Kuvendin dhe Presidencën.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!