Presioni mbi sistemin shëndetësor, Greqi urdhëron mjekët privatë që të ndihmojnë

schedule12:35 - 22 Mars, 2021

schedule 12:35 - 22 Mars, 2021

Greqia po urdhëron mjekë nga sektori privat që të ndihmojnë sistemin shëndetësor publik që aktualisht është duke përballuar një tension të madh. Ministri i shëndetësisë i vendit Vassilis Kikilias ishte ai që e njoftoi vendimin pasi apeli i bëri më herët për praktikantët e privatit nuk pati përgjigje të konsiderueshme.

“Për javë të tëra, Ministria e Shëndetësisë u ka dërguar një ftesë, një apel,  mjekëve privatë për të ndihmuar spitalet… gjatë valës së tretë të madhe të pandemisë Covid-19. Fatkeqësisht, shumë pak mjekë privatë erdhën,” tha Kikilias.

“Duke marrë parasysh kushtet e urgjencës … Ministria e Shëndetësisë po urdhëron shërbimet personale në specialitetet e mjekëve, pneumologëve dhe mjekëve të përgjithshëm,” tha ai.

Kujtojmë se Greqia është duke regjistruar një rritje të shtrimeve në spitalet e Athinës, ndërsa në njësitë e kujdesit intnesiv janë duke u mbaruar shtretërit, raportojnë mediat vendase.

Për të lehtësuar presionin mbi sistemin shëndetësor, qeveria greke njoftoi gjithashtu se do të fillojë shpërndarjen falas për ata që janë të siguruar, të kiteve të vetëtestimit nëpër farmaci, duke nisur nga java e parë e prillit.

Pavarësisht rritjes së rasteve, një numër hapësirash arkeologjike në të gjithë Greqinë, përfshirë Akropolin në Athinë, janë rihapur për vizitorët. Vendi javën e kaluar njoftoi heqjen e një numri kufizimesh anti-covid, si pjesë e një plani për t’u rihapur gradualisht përpara sezonit të turizmit.

Sallone estetike dhe ato të flokëve u rihapën të hënën dhe kishat do të kenë shërbime të kufizuara në kremtimin e Pashkëve Ortodokse. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!