Presionet e Greqisë për Belerin/ Idrizi: Nëse na kërkojnë nga një “copë”, atëherë ky nuk është proces integrimi

schedule20:34 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 20:34 - 7 Dhjetor, 2023

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi duke u ndal të çështja Beleri, u shpreh se raportet mes dy shteteve dhe reciprociteti mes tyre nuk duhet të ndikohet nga këto “aksidente” të vogla, të cilat janë thjesht çështje drejtësie.

Përballë gazetarit Sokol Balla, Shpëtim Idrizi theksoi në “Real Story” se nëse Greqia tenton të na marrë peng dhe në këmbim te integrimit të japin ndonjë “copë”, kjo për të nuk është proces integrimi

“Në raportin mes dy shteteve reciprociteti është shumë më i rëndësishëm se sa aksidente të vogla si puna e kësaj të Belerit, që marrin më shumë peshë, si ligji i luftës, çështja çame apo njohja e Kosovës. Nuk po bëhet fjalë për çështje force, bëhet fjalë që Shqipëria, dhe nëse bëhet fjalë për forcë ne nuk po hyjmë asnjë herë në BE. Nëse ata na marrin peng dhe kërkojnë sa herë duan të avancojmë na kërkojnë nga një copë, atëherë ky nuk është proces integrimi. Kjo është arsyeja që edhe kancelari gjerman, apo Spanja po ushtrojnë presion mbi Greqinë sepse nuk është një çështje e integrimit. Mbajtja e ligjit të luftës, bashkë me efektet e saj nuk është një gjë e vogël, që ta barazojmë edhe me Belerin, pra, ne nuk ngremë këtë problem por shkojmë te historia e Belerit”, u shpreh ai.

Ai theksoi se Beleri ka një imazh, të cilin e njohin të gjithë shqiptarët pasi ka qenë në burg.

“Beleri ka qenë dy herë burgaxhi. Një herë në Greqi për armëmbajtje pa leje për masakrën e Peshkëpisë, ku ne kemi dy dëshmorë atdheu. SPAK duhet të ketë përgjegjësinë profesionale që çështje të tilla të jetë me një ekspertizë të qartë. Po marr një rast tjetër, si qytetar një njeri që ka qenë dy herë burgaxhi, del e flet me një flamur separatist, që formimin më të mirë e ka hidraulik, që për faqen e zezë të atyre që e vunë, ka fituar me një grusht votash, ky akuzohet për një grusht votash dhe sigurisht që duke i nisur nga ky background jam i prirur të besoj që ky e bën edhe këtë gjë. Nëse do shohim vendimin e gjykatës së lartë, si e kam lexuar unë, thuhet se çështja e betimit është çështje e prokurorisë dhe gjykatës. Pra, vendimin e gjykatës nuk mund ta diskutoj unë si deputet”, tha ai.

Ai theksoi se arrestimi dhe burgu i ka favorizuar “tam-tamet” për Fredi Belerim, pasi rastin duan ta shohin si shkelje e të drejtave të njeriut. Sipas tij, ai e ka kontestuar që në fillim duke i bërë thirrje opozitës të mos e kandidojë në Bashkinë e Himarës.

“Belerin e kam kontestuar prej fillimit, nuk mund të jetë kandidat. Burgu mund ta ketë favorizuar, tam tamet për Belerit po bien për shkelje të të drejtave të njeriut. Erdhën dy kryetarë të bashkisë i Athinës dhe Selanikut njëri prej tyre kishte inauguruar muzeun e Zervës, kurse i Selenikut shkruante se e kam nënë nga Korça, pjesë të Vorio Epirit. Pra, këto dy personazhe erdhën në mes të verës dhe investoheshin për shkeljen e të drejtave të njeriut. Tani, për mijëra shqiptarë të Çamërisë, të përzënë nga trojet e tyre nuk ka të drejta të njeriut? Ajo që më shqetëson është fakti që, Greqia interesin e saj kombëtar e gdhend në malin e Olimpit, ne shqiptarët fatkeqësisht i shkruajmë në akull. Interesi kombëtar, praktikisht përcakton edhe vijat e kuqe të politikës së jashtme. Më ka bërë shumë përshtypje fakti që kudo të shkosh, të gjithë të flasin me të njëjtat vija të kuqe, ne jemi i vetmi vend që funksionarët tanë të flasin me gjëra të ndryshme”, tha Idrizi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!