“Presim fitore meqë ka ardhur trajneri i ri”, atmosfera e prag ndeshjes në Elbasan

schedule17:27 - 11 Qershor, 2019

schedule 17:27 - 11 Qershor, 2019

Dikur bulevardi dhe i gjithë Elbasani gumëzhinte. Qyteti vishej i tëri kuq e zi dhe shqiptarët nga të gjitha trojet mblidheshin aty. Brohorisnin, këndonin, krijonin atmosferë festive.

Por nuk po ndodh. Ekipi kombëtar duket se nuk e ka më lavdinë e dikurshme. Dhe kjo është lehtësisht e dallueshme.

Edhe para sporteleve të biletave nuk shikon më njerëz. Ndërsa janë gjithnjë e më të pakët ultrasit e zjarrtë nga Maqedonia dhe Kosova.

Megjithatë tifozët nuk e lënë atë asnjëherë në baltë. Të pakët në numër sërish kthehen në stadium për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës.  Thonë se nuk janë mjaft të kënaqur me kombëtaren. Disa ia vënë fajin trajnerëve, të tjerët lojtarëve. Por megjithatë ende shpresojnë. Sot presin fitoren me Moldavinë.

“Presim një fitore me një ekip kaq të dobët sa Moldavia. Po s’morëm dhe tre pikët me këtë, turp”.

“Meqë ka ardhur trajneri i ri tani, presim fitore”.

Nga ana tjetër Federata dhe policia kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e takimit. Do të ketë një numër të shtruar të uniformave blu dhe do të bllokohet qarkullimi i automjeteve përreth stadiumit, në bulevard dhe në disa akse të rëndësishme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!