Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në ditët në vijim do të caktojë datën për mbajtje të zgjedhjeve lokale. Deklarata e Osmanit vjen pas takimit që ka zhvilluar me krerë të subjekteve politike të Kosovës.
Në takim nuk ka qenë i pranishëm Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, por partinë e ka përfaqësuar Albulena Haxhiu.
Në takim nuk janë parë as përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.
Albulena Haxhiu ka thënë se datat 5,12 apo 19 tetor janë datat që janë përmendur më së shumti gjatë takimit për mbajtje të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021.
Lidhja Demokratike e Kosovës pati dalë e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Diskutimet për zgjedhjet lokale bëhen në kohën kur Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Më 4 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 26-n herë.