Gjatë vizitës zyrtare në Itali Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar edhe me sipërmarrës kalabrezë. Ai i ka kërkuar që të sjellin në Shqipëri përvojën e tyre dhe të investojnë veçanërisht në turizëm.
Vizita zyrtare në Kalabri nuk do të kishte pasur kuptim pa takimin edhe me sipërmarrësit kalabrezë. Kështu është shprehur Presidenti i Republikës Ilir Meta, ndërsa pa nga afër kompanianë Amarelli ku shtrëngoi duart edhe me drejtuesit dhe anëtarët kalabrezë të Unindustria-s, anëtare e Confindustria-s në Itali.
Ilir Meta, president i Republikës: “Si shqiptarë ndihemi mirë teksa shikojmë dhe dëgjojmë çdo ditë dhe më tepër të rinj italianë që studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Janë mbi 25 mijë qytetarë italianë që kanë zgjedhur si “tokën e premtuar” të tyre Shqipërinë”.
Kreu i Shtetit vuri në dukje se Italia është partneri ynë kryesor ekonomik dhe se Shqipëria ka potenciale të mëdha duke ofruar mundësi për investime në fusha të ndryshme sidomos në turizëm.
“Turizmi shqiptar mesa duket është “dashuria e re” e italianëve. Deri në shtator të 2018-ës, mbi 350 mijë turistë italianë kanë shijuar bukuritë e rralla të plazheve të virgjëra dhe ujërave të kristalta, të gërshetuara me malet magjepsëse dhe mbi të gjitha me një kulinari që impresionon dhe vetë italianët. Jam i sigurtë që italianët vetëm në Shqipëri mund të hanë ushqim më të mirë se sa në Itali”.
Kryetari i shtetit shqiptar i kërkoi sipërmarrësve kalabrezë investimet dhe përvojën e tyre për ta përcjellë edhe në Shqipëri duke i garantuar se ashtu sic italianët pritën arbëreshët dikur, sot Shqipëria do të shndërrohet në një “atdhe të dytë” për kalabrezët dhe italianët.”/abcnews.al