Fitorja e titullit kampion për skuadrën e Partizanit ka sjellë reagimet jo vetëm nga personazhet e botës së futbollit, por edhe të politikës. Kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama përgëzuan Partizanin për sezonin fantastik.
Titulli kampion në kampionatin shqiptaer u rikthyer më në fund në kryeqytetet. Partizani zgjeron koleksionin e trofeut më të rëndësishëm në Shqipëri dhe tashmë numëron plot 16 tituj kampion. Ky titull ka një rëndësi të jashtëzakonshme pasi është i pari pas sezonit 1992-1993. Rreth tri dekada më parë Partizani shpallej kampion për herë të fundit. Jehona e titullit të fituar nga Partizani ka sjellë urimet jo vetëm nga personazhet e botës së futbollit por edhe politikës.
Kreu i Shtetit Shqiptar Ilir Meta ka uruar skuadrën kampione të Shqipërisë për sezonin 2018-19 në rrjetin social facebook.
“Urim Partizanit, skuadrës së adhuruar në fëmijërinë time, për rikthimin në krye të futbollit tonë kombëtar”.
Një urim i veçantë edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka zgjedhur Instagramin për të përgëzuar Partizanin. Edi Rama ka postuar një video nga festa e tifozëve të kuq në derbin ndaj Tiranës,
“Mua më mbeti vetëm kampionati italian këtë vit, ndërsa zëvendësi im Juventin fitoi edhe këtë shqiptarin”- shkruan kryeministri Rama.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka përgëzon sezonin madhështor të Partizanit dhe shkruan:
“Dua t’i përcjell urimet e mia më të mira Partizanit që u rikthyen në kampion të Shqipërisë. Sot meritojnë të festojnë të gjithë, futbollistë, staf, drejtuesit, tifozë. Që nga nesër të mendojne si të na përfaqësojnë sa më lart në garat evropiane”- mbyllet urimi i kreut të FSHF. /ABC News Albania 24/7