Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nderuar Flamurtarin e madh të viteve 80-të, me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”. Ky vlerësim bëhet 30 vjet pas sukseseve të vlonjatëve në kupat e Europës.
U desh të kalonin më shumë se 30 vjet.
Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë, thotë populli, e më në fund, Flamurtari i madh i viteve 80-të, u shpërblye nga institucionet e shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte në Vlorë për t’i dorëzuar skuadrës së famshme titullin e “Kalorësit të Urdhërit të Flamurit”.
Nderim edhe për futbollistët, të cilët morën titullin “Mjeshtër i Madh”. Kapiteni Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Latif Gjondeda, Sokol Kushta dhe Petro Ruci ishin të përzgjedhurit, ky i fundit pas vdekjes. Skuadra vlonjate, e trajnerit Leonidha Çurri, u ndesh në vitet 1986-1987, dy herë me Barcelonën e madhe, duke arritur një fitore, dy barazime e një humbje.
Po ashtu eleminoi Partizanin e Beogradit dhe skuadrën Vizmut Aue nga ish-Gjermania Lindorëe. Aktiviteti për Flamurtarin u organizua në Teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, duke gjetur edhe kohën e përshtatshme, në prag të festave të nëntorit.
Një reportazh prej 10-12 minutësh ngjalli sërish emocionet dhe risolli momentet me te mira te atij Flamurtari. Pati duartrokitje, por edhe lot nga të pranishmit. Presidenti i sotëm i Flamurtarit, sinan Idrizi, e cilësoi këtë vlerësim si motivim për skuadrën e tanishme, dhe për brezat e ardhshëm.
Më herët, titullin “Mjeshtër I Madh” e kanë marrë lojtarët e tjerë të viteve 80-të, Vasil Ruci, Uran Xhafa si dhe Alfred Zijaji, pas vdekjes. Aktiviteti u mbyll me një foto të përbashkët të skuadrës së viteve 80-të, dhe të Flamurtarit aktual./abcnews.al