Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puixhdemon, bashkë me disa këshilltarë të tij gjenden në Belgjikë. Mediat spanjolle shkruajnë se ai do të kërkojë azil politik në Bruksel.
Presidenti I shkarkuar I Katalonjës, Karles Puixhdemon dhe 5 këshilltarë të tij kanë ndërmend të kërkojnë azil politik në Belgjikë. Kjo është bërë e ditur nga disa media spanjolle. Mësohet se Puixhdemon udhëtoi të hënën për në Bruksel për tu takuar me një grupim politik nacionalist. Vizita e ish-kreut të rajonit autonom nuk është bërë pa shkak, pasi të dielën Ministri belg I emigraiconit, Teo Franken la të hapur mundësinë e ofrimit të azilit politik për Puixhdemon.
Partia e këtij zyrtari bën pjesë në koalicionin qeverisës. Gjatë mbrëmjes të së dielës, kryeministri belg Sharls Mishel ndërhyri duke hedhur poshtë deklaratën e ministrit të tij pasi kjo e fundit shkaktoi irritimin e Madridit.
Qeveria spanjolle e Mariano Rahoit ka bërë me dije se nuk është e shqetësuar për udhëtimin e Puixhdemon në Belgjikë. Gazeta “La Vanguardia” duke cituar burime nga ministria e brendshme e Spanjës shkruan se ajo që kishte më shumë rëndësi këtë të hënë ishte mos paraqitja e liderit të shkarkuar në Pallatin Presidencial të Katalonjës.
Në këtë mënyrë, udhëtimi për në Bruksel I ka shërbyer të dy palëve. Nga njëra anë Madridi që I druhej ndonjë zhvillimi të padëshiruar jashtë parlamentit të rajonin autonom; nga ana tjetër ka përfituar dhe Puixhdemon, për të cilin prokurori I përgjithshëm I Spanjës kërkoi inkriminimin për rebelim, prishje të rendit kushtetues dhe përvetësim fondesh shtetërore. Presidenti I shkarkuar I Katalonjës I frikësohej një arrestimi të mundshëm nga autoritetet spanjolle. Për këtë duket se ka përfituar nga situata dhe po përgatit terrenin për të paraqitur një kërkesë për azil politik në Belgjikë. Madje që tashmë disa deputetët të parlamentit të Katalonjës kanë filluar ta konsiderojnë Puixhdemon si “President në ekzil”.