Deputetja Elisa Spiropali duke folur në Konferencën e Kryetarëve për emrin e Presidentit të ri të Republikës, u shpreh se PD nuk ka synim të zgjedhë një President që i shërben partisë. Sipas saj mazhoranca nuk ka vendosur asnjë kusht për opozitën dhe nuk mund të pranohen kushte nga opozita.
“Ka një kohë për të bërë politikë, ka një kohë për të bërë procedurë, edhe të dyja njëkohësisht. Në Kushtetutë thuhet qartë se si zgjidhet procesi kushtetues. Këtu është bërë zakon të flitet për procese të brendshme të Partisë Socialiste në një kohë kur në palën tjetër s’ka fare proces. Përsëriten propozimet me zarfe, apo konsultimet me shoqërinë civile. A thua se kjo është mëkat. Ne nuk kemi vendosur asnjë kusht për opozitën. Sigurisht që kemi konceptet tona për një profil se si duhet të jetë Presidenti i Republikës, duke pasur parasysh edhe pushtetin e madh që kemi akumuluar, ku këtu ka kontribuar opozita duke ikur nga procese shumë të rëndësishme. Ne nuk duam një President të të PS-së. Duam të marrim nga ju emrat më të mirë, por nuk duam kushte”, tha Spiropali.
Ndërkohë Enkelejd Alibeaj u shpreh se askush nuk ka vendosur kushte por sipas tij Presidenti duhet të jetë i shqiptarëve dhe jo i PS.
“Kush ju tha juve që kemi vendosur kushte? Askush! Pala andej dëgjoni, i kam bërë të qartë në këtë sallë një javë më parë. Ky parlament duhet të zgjedhë presidentin e shqiptarëve. E mira do të ishte ta zgjidhnin vetë shqiptarët, por nuk e kemi këtë mundësinë kushtetuese. Qëndrimi ynë është i tillë, të flasim para shqiptarëve, t’i flasim atyre.” tha Alibeaj./abcnews.al/