Presidenti i ri, Shosha në “Log.”: Si e njoh Doktor Bajram Begajn

schedule21:36 - 6 Qershor, 2022

schedule 21:36 - 6 Qershor, 2022

Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj,  ka qenë tema e emisionit “Log.” në Abc e gazetarit Endri Xhafo.

Për të folur mbi këtë temë në një lidhje me emisioni Kryemjekja e “Spitaleve Amerikane”, Lida Shosha, ka rrëfyer se si e njeh ajo Presidentin e ri të vendit, me të cilin ka punuar vite më parë në ish-Spitalin Ushtarak.

Shosha tha se Begaj është një njeri shumë i mirë, i qetë dhe një person që e gjen gjithmonë gjuhën e kompromisit.

Pjesë nga diskutimi:

Xhafo: Si e njihni ju Bajram Begajn?

Shosha: Unë njoh mjekun Bajram Begajn. Për aq sa ne kemi punuar sëbashku, mund të them se doktor bajrami është një njeri shumë i mirë, ka qenë mjek shumë i mirë, ka dhënë një kontribut të vyer në Spitalin Ushtarak. E gjithë historia e asaj strukture është një histori më vete. Nga një spital ushtarak të madh ku numëroheshin me numra civilët, sot numërohen me kokrra ushtarake.

Xhafo: Ai ka qenë Gastrohepatolog?

Shosha: Po ai ka qenë Gastrohepatolog. Ka qenë një bërthamë shumë e mirë në Spitalin Ushtarak ku ka qenë doktor pajo.

Xhafo: Po si njeri?

Shosha: Ka qenë një njeri shumë i mirë.

Xhafo: A bënte kompromise, apo ishte njeri drejt e drejt?

Shosha: Ka mbajtur poste drejtuese. Nëse do pyesje për doktoreshë Lidën e di shumë mirë se çfarë karakteri kam unë. Doktor Bajrami është tip që ka ditur të zgjidhë konflikte. Është një nga personat i cili ka drejtuar në disa poste Spitalin ushtarak, qoftë si nën drejtor, qoftë si Drejtor. Karriera e mjekëve ushtarakë është kur kalojnë në postin e Drejtorit kalojnë në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Pavarësisht ndryshimeve që iu bë spitalit ndër vite, është i vetmi që u katapultua dhe u nderua krahasuar me mjekët e tjerë.

Xhafo: Si ndodhi që u bë gjeneral?

Shosha: Unë mendoj që mjekët, kolegët e tij që e kanë njohur, stafi që ka punuar me të mund të jetë krenar për këtë fakt, që një mjek e nisi karrierën si mjek ushtarak, në një spital që po i zhbëhej lavdia e dikurshme, të arrijë një pozicion të tillë. Doktori ishte një njeri bashkëpunues shumë, njeri i qetë. Në komunikimin e parë me të imponon respekt.

Xhafo: Keni ndonjë histori personale?

Shosha: Një buqetë me lule që më erdhi nga Drejtoria. Në një moment kur kalova një siklet shëndetësor më erdhi doktor Bajrami me buqetë.

Xhafo: Çfarë menduat kur dëgjuat se ishte ai President i Republikës?

Shosha: Të them të drejtën u çudita, si shumë shqiptarë prisja të ishte një Presidente grua, por pa e bërë Amerika se bëjmë dot ne. Por sigurisht që u gëzova. Duke njohur intelektualizmin e tij, natyrën e tij jo konfliktuale, dhe marrëdhëniet shumë të mira që ka lënë mes kolegëve, jam shumë e bindur se është një nga njerëzit më të kualifikuar në atë post. Është i kualifikuar është me fakultete, me doktoraturë, me trajtime të shumta jashtë vendit.

Xhafo: A e keni uruar?

Shosha: Po, patjetër.

Xhafo: I keni mbajtur kontaktet me të?

Shosha: Neve kemi diskutuar gjatë periudhës kur ai u largua, për pacientë të ndryshëm, sepse unë vazhdoj të jem pjesë e strukturës ku punoj.

Nazarko: Ajo që është interesante dhe nuk del nga këto biografitë e shpërndara është kur ai e ka bërë karrierën. Ashtu siç duket, ai është ngritur në karrierë në të dyja qeverisjet. A ka patur ai ngritje në karrierë, gjatë periudhës së qeverisjes së PD?

Shosha: Ai ka qenë në të dyja qeveritë, ka drejtuar, pastaj u shkëput dhe kaloi në Ministrinë e Mbrojtjes. Duke qenë se u shkëput nga mjekësia dhe vazhdoi profilin ushtarak, kur largohesh nga klinika dhe mjekësia nuk mund të shkosh tek titulli Profesor.

Nazarko: Jo do të doja për rolin si Drejtor i Spitalit Ushtarak kur e ka patur?

Shosha: Në të dyja qeveritë ka shërbyer. Kultura e topave të baltës ka cekur një kategori në rrjetet sociale, ku njerëz që pa e njohur fare, kanë përbaltur figurën e zotit Begaj, unë si kolege e tij nuk jam dakord. Le t’i japim kohë Presidentit të ri.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!