Presidenti i komunitetit hebre në Shqipëri, Geront Kureta, tha se Tirana mund të quhet Jerusalemi i Ballkanit, sa i përket harmonisë fetare.
Në Forumin Ballkanik kundër Anti-Semitizmit, ai theksoi se hebrejtë u shpëtuan falë tolerancës së kombit shqiptar.
“Hebrenjtë në Shqipëri datojnë që nga shekulli dytë. Ata ishin pjesë integruese e shoqërisë shqiptare në Vlorë, Gjirokastër apo Tiranë. Në fillim të LDB ishin veç 200, por në fund të kësaj lufte u bënë më shumë se 2 mijë.
Këtu hebrenjtë u shpëtuan falë tolerancës së kombit shqiptar. Ne jemi krenarë për tolerancën, harmoninë e nxitur këtu. Me rënien e komunizmit hebrenjtë u larguan kryesisht në Izrael. Tani janë një komunitet i vogël hebrenjsh që jetojnë këtu, 50 të tillë.
Jemi krenarë që jemi pjesë e Shqipërisë. Sarajeva dikur quhej Jerusalemi i Ballkanit, kishte kisha ortodokse, katolike që qëndronin bashkë me sinagoga dhe xhami. Sot Tirana është Jerusalemi i Ballkanit me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare”, tha Kureta.
/abcnews.al/