Presidenti i Kazakistanit bëri të ditur të hënën “miqësinë e përjetshme” me Pekinin teksa u takua me shefin e partisë në pushtet në rajonin Xinjiang të Kinës.
Pekini është akuzuar prej kohësh për shkelje të të drejtave ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në rajonin veriperëndimor.
Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, një folës i gjuhës Mandarin, lajmëroi për “thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me Kinën” ndërsa u takua me sekretarin e Partisë Komuniste të Xinjiang, tha të hënën presidenca e Kazakistanit.
Kina është ndër investitorët kryesorë në Kazakistanin e pasur me energji, vendi më i madh në Azinë Qendrore ish-sovjetike.
Ma Xingrui tha se Kazakistani ishte një “fushë prioritare” e bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Në përgjithësi, bashkëpunimi i Kinës me Kazakistanin kryhet përmes Xinjiang,” shtoi Ma.
Xinjiang, një rajon në Kinën veriperëndimore, është në kufi me Kazakistanin.
Rreth 1.5 milionë kazakë etnikë jetojnë në Xinjiang ndërsa Kazakistani është shtëpia e një diaspore të madhe ujgure.
Pekini akuzohet për arrestimin e mbi një milion ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në Xinjiang, duke përfshirë disa kazakë. Uashingtoni dhe disa ligjvënës në vende të tjera perëndimore i kanë etiketuar një “gjenocid”.
Kina i mohon akuzat, duke thënë se veprimet e saj kanë për qëllim luftimin e terrorizmit.
Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping në shtator të vitit të kaluar udhëtoi për në Kazakistan në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit.
Këtë muaj Xi ftoi krerët e pesë vendeve ish-sovjetike të Azisë Qendrore, përfshirë Kazakistanin, për të marrë pjesë në “samitin e parë Kinë-Azi Qendrore”, në maj.
Republikat autoritare të Azisë Qendrore ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe janë dominuar nga Moska që nga mesi i shekullit të 19-të.
Por ndikimi i Rusisë po sfidohet, gjithnjë e më shumë që nga pushtimi i Ukrainës. /abcnews.al