Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Klima e biznesit në Shqipëri, më e mira në rajon! Civici: Biznesi kërkon stabilitet!

schedule20:51 - 16 Shkurt, 2024

schedule 20:51 - 16 Shkurt, 2024

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve u shpreh se Shqipëria është një vend që ka shumë avantazhe, sa i përket klimes së biznesit. Ai vuri theksin edhe tek zhvillimi i teknologjisë, duke e konsideruar si një fushë të rëndësishme dhe një mundësi edhe për të rinjtë.

Klima e biznesit në Shqipëri,- tha ai, “është më e mira në rajon”.

“Shqipëria ka shumë avantazhe, duke nisur nga klima, gjuha gjallëria që ka këtu. Unë mendoj që amerikanët mund të vijnë të banojnë këtu, pse jo edhe gjermanët. Shqipëria është një vend ku ka jetë. Këtu po punohet për të përmirësuar jetën. Fusha teknologjike është shumë e rëndësishme. Programimet po ashtu janë me rëndësi”, u shpreh ai gjatë intervistës në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.

I të njëjtin mendim ishte edhe eksperti i Ekonomisë, Adrian Civivi i cili nënvizoi se fusha e teknologjisë duhet të marrë akoma më shumë vëmendje sidomos me zhvillimet e fundit të inteligjencës artificiale.

Civici u shpreh se ka shumë kompani që merren me programime dhe se ideja e shkëmbimit apo eksportimit të dijeve dhe jo vetëm mallrave është gjithashtu e rëndësishme për vendin.

“Jam dakord me eksportin e produkteve me natyrë teknologjike të inteligjencës artificiale. Dhe në Shqipëri po shtohen kompani që bëjnë programime. Po ashtu edhe një pjesë e shërbimeve digjitale janë përhapur. Ka shumë raste që punojnë në funksion të tregut amerikan. Pra eksportohen dije, njohur dhe jo thjesht mallra të veçanta”, theksoi më tej Civici.

Gjatë kësaj interviste Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë foli edhe për sfidat e të bërit biznes në Shqipëri. Ai u shpreh se faktorët kryesorë janë të favorshëm dhe se në këtë drejtim po bëhen hapa të duhura.

“Ka një perceptim se ka shumë risk, por në realitet nuk ka aq sa mendohet. Ky është një vend i vogël dhe ka shumë mundësi që gjërat të zgjidhen. Megjithatë mund të them se ka probleme që pengojnë. Por mendoj që nëse flasim apo punojmë , gjërat mund të zgjidhen. Ne kemi kërkuar dialog dhe jo vetëm të shpallim një ligj, por duhet të bashkëbisedojmë. Dhe gjërat kanë lëvizur në këtë drejtim. Janë bërë takime, pra është hapur edhe një ‘shtëpi e biznesit’ në krah të kryeministrisë. Edhe vetë kryeministri vetë është shprehur se mirë është të ulemi dhe të trajtojmë problemet reale”, ka thënë ai.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, u shpreh: “Dialogu është i rëndësishëm. Pra duhet të shihet se a dëgjohet zëri i biznesit apo edhe sa merret në konsideratë. Tentativat dhe reflektimet që kemi bërë janë të rëndësishëm. Kemi një Ministri të veçantë që merret me klimën e biznesit, por ashtu edhe krijimi i Dhomës Kombëtare të Biznesit është një element i  mirë për të trajtuar se kush janë angazhimet e qeverisë. Por mendoj që edhe stabiliteti fiskal është i rëndësishëm, pasi Shqipëria ka ndryshime shumë të shpeshta, nuk ka stabilitet fiskal.”

/acbnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!