Manchester City arriti ta bindë dhe rinovoi deri në verën e vitit 2023 me Pep Guardiolan. Te klubi anglez janë shumë të gëzuar me këtë vendim dhe këtë e shpreh edhe presidenti i klubit, Khaldoon al-Mubarak.
Ai shprehet se është shumë i lumtur që City do vazhdojë me Guardiolan në stol dhe e vlerëson shumë për atë çka ka dhënë që nga 2016 e deri më tani. City është eksperienca më e gjatë e Pep si trajner.
“Kontrata e re është dëshmi e cilësive të Guardiolas. Pasioni dhe inteligjenca e tij janë thurur në strukturën e futbollit tonë dhe në kulturën e klubit.
Ndikimi i tij ka qenë thelbësor për sukseset e arritura në këto vite dhe kjo është arsyeja pse jam i kënaqur që ai vazhdon me ne. Ka ende për të dhënë si brenda, edhe jashtë fushës. Zgjatja e kontratës së Pep është hapi i natyrshëm në një udhëtim, që ka evoluar shumë.
Është produkt i besimit dhe respektit reciprok midis tij dhe klubit, një konfirmim i strukturës dhe filozofisë së futbollit që ne kemi ndërtuar dhe për të cilën ai ka kontribuar aq shumë. Jam i sigurt që të gjithë tifozët e City janë të gëzuar për këtë marrëveshje të re”, u shpreh presidenti i klubit anglez. /abcnews.al