Kreditorët duhet të falin më shumë borxhe ndaj vendeve të varfra që kanë probleme me pagesat, tha presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga përpara takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ai deklaroi se Banka Botërore tashmë ka ofruar fonde për vendet me borxhe për t’i ndihmuar ata të paguajnë borxhin e tyre dhe shtoi se rreth 16 deri në 17 miliardë dollarë ishin investuar në Zambi, Çad, Etiopi dhe Gana gjatë procesit të tyre të ngadaltë dhe të dhimbshëm të ristrukturimit të borxhit, shkruan Reuters.
Ne u japim atyre fondet që u nevojiten, përmes faljes së borxheve ose granteve, specifikoi Ajay Banga.
“Falja e borxhit është e nevojshme, por jo nga ne. Kërkohet nga ata kreditorë. Kjo është çështja që po përpiqemi ta zgjidhim”, shtoi presidenti i Bankës Botërore, transmeton Tanjug.
Sipas tij, Grupi i Bankës Botërore është në rrugën e transformimit në një “bankë më të mirë” që mund t’u shërbejë në mënyrë efektive vendeve me të ardhura të ulëta dhe të përmirësojë rezultatet e zhvillimit në nivel global.
Grupi i Bankës Botërore ka bërë përparim të rëndësishëm në fusha të tilla si shpejtësia dhe thjeshtësia e miratimit të projektit, vendosja e marrëdhënieve të partneritetit me institucione të tjera financiare dhe ristrukturimi i bankës së njohurive, përfundoi Banga.
Fjalimi i Ajay Banga është një hyrje në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore, i cili do të organizohet nga 21 deri më 26 tetor në Uashington./abcnews.al