Presidenti brazilian ofendon bashkëshorten e Macron

schedule16:40 - 26 Gusht, 2019

schedule 16:40 - 26 Gusht, 2019

Një postim në Twitter, ku krahasoheshin bashkëshortja e presidentit të Brazilit dhe ajo e presidentit francez Macron ka qenë shkak për një krizë diplomatike mes dy vendeve. Ka qenë vetë Bolsonaro i cili i kërkoi autorit të postimit të mos e poshtërojë zonjën e parë të Francës, duke shoqëruar komentin me disa të qeshura.

Kur situata tensionohet mund të ndodhë gjithçka. Është rasti i krizës diplomatike mes Brazilit dhe Francës me protagonist presidentin brazilian Bolsonaro dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Në qendër të debatit është situata e zjarreve në Amazonë. Me përshkallëzimin e situatës, situata ka degjeneruar nga deklaratat institucionale në komente ofenduese dhe sulme personale.

Çdo gjë nisi me ministrin brazilian të Edukimit, Abraham Ueintraub, i cili e cilësoi Macron si një “budalla përfitues”. Por më keq është komenti që Bolsonaro ka bërë në një postim ku krahasohej bashkëshortja e tij Michelle me zonjën e parë të Francës Brigitte Macron. Një krahasim i pavend duke marrë në konsideratë dhe moshën e tyre: 37 dhe 66 vjeç.

“Tani e kuptoni sepse Macron persekuton Bolsonaron?”, shkruan autori i postimit i cili nënkupton zilinë e liderit europian ndaj atij të Brazilit. Në këtë postim ka reaguar vetë Bolsonaro i cili përgjigjet: “Mos e poshtëro” dhe më pas e shoqëron fjalinë me disa të qeshura.

Ndërkohë ka reaguar dhe presidenti francez Macron i cili e ka konsideruar si diçka të trishtueshme për Brazilin të gjithë ngjarjen, duke thënë se femrat braziliane duhet të jenë të trishtuara dhe se ishte i sigurtë se atyre u vinte turp.

“Këto sulme janë të parespektueshme”, përfundoi Macron i cili dukej shumë i nervozuar gjatë fjalës së tij./ABC News Albania 24/7