Presidenti Biden viziton Gjermaninë, Ukraina në krye të axhendës

schedule16:15 - 17 Tetor, 2024

schedule 16:15 - 17 Tetor, 2024

Presidenti Joe Biden mbërrin (sonte) të enjten në Gjermani pas një shtyrjeje njëjavore të udhëtimit pëpr shkak të uraganit Milton. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, presidenti amerikan dhe kancelari gjerman janë përballur me trysni në rritje lidhur me mbështetjen e tyre për Ukrainën, ndërsa dy udhëheqësit kanë njoftuar së fundmi ndihma të reja sigurie.

Presidenti Biden synon ta shfrytëzojë vizitën në Gjermani për të diskutuar çështje të ngutshme si Ukraina. Kancelari gjerman ka theksuar rëndësinë e kësaj vizite njëditore duke vlerësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se Presidenti Biden miratoi një tjetër paketë ndihme për Ukrainën me një vlerë prej 425 milionë dollarësh.

“Presidenti e vlerëson lart këtë vizitë tek një nga partnerët tanë, një aleat i palëkundur në mbështetjen për Ukrainën. Presidenti dëshironte të shkonte në Gjermani për ta falënderuar drejtpërdrejt Kancelarin Scholz”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Vizita e Presidentit Biden në Gjermani, e planifikuar fillimisht për javën e kaluar, u shty për shkak të Uraganit Milton. Po ashtu, presidenti do të drejtojë virtualisht një takim për sigurinë në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden nuk do të takohet personalisht me udhëheqësin ukrainas, siç ishte planifikuar fillimisht.

Kancelari Scholz u takua javën e kaluar me Presidentin Volodymyr Zelenskyy për të dëgjuar planin ukrainas prej pesë pikash, ku përfshihet edhe ftesa për anëtarësim në NATO përpara përfundimit të luftës.

Zoti Zelenskyy e paraqiti planin në parlamentin ukrainas të mërkurën.

“Plani shërben si një urë për paqen që do t’i japë fund luftës. Ky plan nuk ka për qëllim të zëvendësojë nismën tonë të paqes, por përkundrazi të forcojë pozitat e Ukrainës në mënyrë që ta sjellim paqen më pranë. Ne mund ta arrijmë këtë përmes bashkëpunimit me të gjithë partnerët tanë. Po llogarisim gjithashtu edhe mbështetjen e Gjermanisë”, tha presidenti ukrainas.

Shefi i ri i NATO-s tha të mërkurën se Ukraina do të jetë “një ditë” anëtare e aleancës.

Lufta i ka detyruar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët që të punojnë së bashku përballë një grupi kundërshtarësh që kanë interesa në fatin e Ukrainës, tha për Zërin e Amerikës Gjenerali James Jones, i cili ka shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë kohës së Presidentit Barack Obama.

“Aleanca iraniane, ruse, kineze dhe koreano-veriore, nëse mund ta quajmë kështu, është shumë e rrezikshme dhe nuk mund të pretendojmë se nuk është. Duhet forcuar NATO-ja, BE-ja, si dhe marrëdhëniet dypalëshe për t’u siguruar që Putini të mos fitojë në Ukrainë”.

Analistët thonë se ky udhëtim mund të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e Ukrainës.

“Presidenti Biden mund ta shfrytëzojë vizitën në Gjermani për të përsëritur rëndësinë e mbështetjes për Ukrainën”, thotë për Zërin e Amerikës analisti William Pomeranz me Qendrën Wilson.

Si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në Gjermani janë zhvilluar protesta kundër mbështetjes për Izraelin në luftën në Gazë. Njoftimet në të dy vendet tregojnë për shtimin e incidenteve antisemite.

Dy udhëheqësit, të cilët thonë se i përkasin “qendrës së majtë”, po përballen me sfida politike nga grupe me prirje të djathta që kritikojnë mbështetjen e qeverive të tyre për Ukrainën dhe Izraelin.

Zoti Scholz ka humbur terren kohët e fundit përballë partisë AfD, lëvizje e ekstremit të djathtë që kundërshton emigracionin. Kjo vizitë vjen në një moment vendimtar. Të dy udhëheqësit e dinë mirë se si luftërat e shekullit të kaluar ndikuan në fatin dhe të ardhmen e shteteve të tyre. Ata duhet të përpiqen të shmangin një konflikt tjetër global./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!