Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është intervistuar si pjesë e hetimit ndaj tij për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara pasi ishte larguar nga posti i zëvendëspresidentit në vitin 2017, njoftoi Shtëpia e Bardhë të hënën vonë.
Presidenti demokrat u intervistua vullnetarisht dhe intervista zgjati mbi dy ditë, duke përfunduar të hënën, tha Ian Sams, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.
Biden u intervistua nga prokurori special, Robert Hur, shkruan REL.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, e emëroi Hurin në janar si prokuror special për ta hetuar ruajtjen e papërshtatshme të dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e Bidenit në Delavere, si dhe në një zyre në Uashington e cila ishte themeluar për Bidenin pas kohës së kaluar si zëvendëspresident nga viti 2009 deri më 2017.
Prokurorë të tillë specialë që emërohen për t’i trajtuar rastet e ndjeshme – në të cilat zakonisht përfshihen figurat politike apo dyshimet për shkelje të rënda nga Qeveria – kanë më shumë pavarësi se hetuesit federalë për të vendosur se a të ngrehin aktakuzë apo jo.