Presidenti Begaj takim me përfaqësuesit e Diasporës shqiptare në Gjermani: I keni dyert hapur për investime në vendlindje

schedule12:04 - 20 Qershor, 2024

schedule 12:04 - 20 Qershor, 2024

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi këtë të enjte në Berlin një takim me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Gjermani.

Figura të suksesshme në fusha të ndryshme; sipërmarrës, mjekë, artistë, arsimtarë dhe aktivistë të organizatave të të rinjve, e njohën Kreun e Shtetit me përvojat e tyre të bashkëpunimit me komunitetin shqiptar dhe qytetarët gjermanë.

Presidenti Begaj, shprehu përgëzime për arritjet e gjithsecilit dhe vlerësoi arritjet e tyre personale, të cilat i quajti krenari kombëtare.

Gjithashtu Presidenti ftoi sipërmarrësit shqiptarë të ndihmojnë më shumë për kauzat e shqiptarëve, në veçanti për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë, apo të diasporës së re siç konsiderohet tashmë komuniteti i të ikurve pas viteve’90 në shtetet evropiane.

Begaj vlerësoi nismat e ndërmarra për hapjen e shkollave shqipe vullnetarizmin e mësuesve të gjuhës shqipe, dhe gjithashtu nxiti forcimin e këtij bashkëpunimi në mënyrë që brezat e ardhshëm krahas gjuhës gjermane dhe integrimit me kulturën vendase ku jetojnë, të mos harrojnë gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar.

Për sa i përket ndërveprimit mes të rinjve, Presidenti vlerësoi iniciativat e studentëve që shkollohen në universitetet e Gjermanisë, ndërsa u shpreh se Shqipëria i mban gjithmonë dyert hapur për ata që duan të kthehen dhe të investojnë në vendlindje, dijet e marra në Perëndim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!