Porositë e Begajt për diplomatët: Mbështesni shqiptarët kudo ndodhen

schedule20:26 - 27 Gusht, 2024

schedule 20:26 - 27 Gusht, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur këtë të martë diplomatët shqiptarë të cilët i ka vlerësuar për punën e bërë për forcimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë. Shqipëria gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekurinë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin tonë strategjik, SHBA-në, për Ukrainën për çështjen e paqes dhe sigurisë, ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme.”, tha Begaj.

Sipas kreut të shtetit një rol të rëndësishëm diplomacia ka në rajon për të garantuar të ardhmen euroatlantike të shqiptarisë në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa u ka kërkuar diplomatëve të vijojnë mbështetjen pa kushte për Kosovën për anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë e rajonal, por edhe për njohje të reja të saj.

“Kosova nuk duhet të mbetet si një talking point e përsëritur, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik. Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë”, shtoi presidenti.

Begaj ka theksuar se me zhvillimet e shumta ndërkombëtare, Shqipëria si vend anëtare e NATO-s, qëndron në krah të aleatëve të saj.

“Situata e paqes dhe sigurisë rajonale apo globale mbetet fluide, por interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në BE mbeten të pandryshuara, si shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme dhe aksionit tonë diplomatik”, tha ai.

Presidenti i republikës e ka cilësuar të pazëvendësueshëm rolin e diplomatit në një kohë kur investimet globale në sektorin e sigurisë janë rritur ndjeshëm.

“Gjeopolitika u kthye në skenë, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë”, theksoi Begaj.

Për diplomatët shqiptarë kreu i shtetit kishte edhe një porosi të veçantë.

“Qëndroni afër shqiptarëve kudo ku ndodhen”, shtoi Begaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!