Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të Forcës Detare, ku nderoi detarë, nënoficerë, oficerë dhe veteranë që kanë shërbyer e shërbejnë me devotshmëri ndaj atdheut në përmbushje të misionit kushtetues.
Gjatë fjalës përshëndetëse në këtë jubile të rëndësishëm, Presidenti i Republikës, duke iu referuar periudhave historike përmes të cilave ka kaluar Forca Detare, nënvizoi sakrificat dhe përkushtimin shekullor për të arritur nga patrullimi i anijeve “Shqypnia” dhe “Skënderbeg”, deri në përfshirjen e saj në sigurinë Euroatlantike.
“Forca Detare është rritur, zhvilluar, transformuar dhe modernizuar, dhe ashtu si e gjithë Forca e Armatosur e Republikës së Shqipërisë, ka kaluar periudha sidash të vështira duke reflektuar në rrugëtimin e saj historinë e zhvillimit të vendit. Ajo i ka qëndruar gjithmonë besnike atdheut, ka qenë rojtare e palëkundur e sovranitetit, mbrojtëse e paepur e integritetit dhe interesave kombëtare në hapësirën tonë detare”, deklaroi Kreu i Shtetit. Një mesazh mirënjohjeje Presidenti Begaj përcolli edhe ndaj aleatëve të Shqipërisë.
“Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Holandës, Turqisë dhe partnerëve të tjerë në NATO, Forca Detare ka zhvilluar kapacitete bashkëkohore operacionale në përmbushje të misionit kushtetues dhe zbatimit të ligjshmërisë në det”, theksoi Presidenti i Republikës.
Angazhimin në operacionet e NATO-s, si “Aegean Sea” dhe “FOCOPS”, Presidenti Begaj e cilësoi si dëshmi të zgjedhjes politike dhe strategjike: që siguria e vendit të garantohet përmes bashkëpunimit, kontributit dhe besueshmërisë mes aleatëve.
Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Presidenti i Republikës u shpreh se në realitetin e sotëm të sigurisë, Forca Detare shqiptare përfaqëson praninë dhe përgjegjësinë e Shqipërisë në hapësirën mesdhetare dhe në arkitekturën Euroatlantike të mbrojtjes.
“Dinamikat gjeopolitike, format e reja të kërcënimeve, trafiku i paligjshëm dhe tensionet në hapësirën mesdhetare e bëjnë të domosdoshme një Forcë Detare të aftë për të vepruar me shpejtësi, profesionalizëm dhe besueshmëri, si në kohë paqeje, edhe në situata krize”, deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se për Shqipërinë kjo nuk është çështje ambicieje, por përgjegjësi shtetërore për mbrojtjen e hapësirës detare dhe interesave të saj kombëtare.
Për këtë arsye, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e investimeve që po ndërmerren për modernizimin e mëtejshëm të Forcës Detare në bashkëpunim me aleatët rajonalë, evropianë dhe Aleancën Veri-Atlantike.
“Vizioni për të ardhmen e Forcës Detare shqiptare mbështetet në forcimin e kapaciteteve operacionale, zhvillimin e kapaciteteve të mirëfillta luftarake, modernizimin e infrastrukturës portuale dhe lidhjen me Korridorin VIII, modernizimin e kantierit të ndërtimit dhe riparimit të anijeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit me aleatët jo si qëllim në vetvete, por si kusht, si kusht për të garantuar sovranitetin detar, sigurinë kombëtare dhe rolin e Shqipërisë si një partnere, si një aleate e denjë në NATO”, deklaroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në ceremoninë e 100-vjetorit të krijimit të Forcës Detare të Shqipërisë.

